Mesfushori i Bayer Leverkusenit, Granit Xhaka, ka konsideruar se transferimi në Gjermani nga Arsenali ka qenë dy hapa para për karrierën e tij.
31-vjeçari u transferua te Leverkuseni verën e kaluar pasi kaloi periudhë të gjatë te Arsenali.
“Transferimi nga Arsenali te Leverkusen nuk ishte hap prapa, por dy hapa përpara. Kam pasur pikërisht ndjenjën, gjatë bisedave me trajnerin dhe me Simon Rolfesin, se diçka e veçantë mund të lindë këtu në vitet e ardhshme”, ka thënë Xhaka.
Që në sezonin e parë, Xhaka udhëhoqi Leverkusenin në fitimin e Bundesligës pa asnjë humbje dhe triumfin në Kupën e Gjermanisë. E humbi finalen e Ligës së Evropës kundër Atalantas.
Synimet për sezonin e ri janë të qarta, sipas Xhakës.
“Duam edhe më shumë. Jo vetëm këtë vit, por sigurisht që duam të luajmë në nivele të larta edhe për vitet e ardhshme. Ne e dimë se presioni tani është pak më i lartë se vitin e kaluar. Kjo varet edhe nga ne. Por sigurisht që duam të jemi në gjendje ta përballojmë mirë presionin. Për këtë, ne, lojtarët me përvojë, kemi nevojë që të marrim me vete edhe lojtarët e rinj. Mendoj se duhet të bëjmë më shumë se vitin e kaluar”, u shpreh mesfushori shqiptar.