Granit Xhaka ka shënuar supergol në nisje të edicionit të ri të Bundesligës gjermane për Leverkusenin, që fitoi me gol të minutave shtesë.
Të premten në mbrëmje, Leverkuseni dhuroi tjetër paraqitje emocionale duke fituar 3:2 në udhëtim te Borussia Moenchengladbach, në nisje të edicionit të ri të Bundesligës gjermane.
Leverkuseni, që në edicionin e kaluar e fitoi titullin historik në Bundesligë pa humbje dhe triumfoi në Kupën e Gjermanisë, kaloi në epërsi në minutën e 12-të.
Pas topit të kthyer nga një mbrojtës kundërshtar, Xhaka gjuajti fuqishëm dhe realizoi supergol për 1:0. Por nuk festoi për respektin ndaj ish-skuadrës.
Për 2:0 në të mirë të fituesit të Superkupës gjermane realizoi Florian Wirtz, në minutën e 38-të.
Në pjesën e dytë, vendësit realizuan dy herë me Nico Elvedin në minutën e 59-të dhe në minutën e 85-të me Tim Kleindienstin.
Kur po pritej përfundimi i ndeshjes, Leverkuseni fitoi penallti në minutën e 10-të të kohës shtesë.
Tentimin e parë të Wirtzit e priti portieri kundërshtar Jonas Omlin, por mesfushori gjerman nuk gaboi nga topi i kthyer dhe ia siguroi Leverkusenit pikët e plota në fillim të kampanjës së re të elitës gjermane.
Xhaka e kompletoi ndeshjen dhe pati tjetër paraqitje të mirë.
VIDEO: