Për herë të dytë brenda një jave, Granit Xhaka dështoi të ofronte atë që pritet prej tij, në fitoren 1:0 ndaj Heidenheimit. Ka disa arsye për këtë, fizike dhe taktike. Rikthimi i strategut të mesfushës në formën e vjetër është thelbësor për Bayer Leverkusenin. Trajneri Xabi Alonso po ashtu përballet me sfidë
Kicker – Çdo gjë nisi në minutën e 11-të. Granit Xhaka humbi topin derisa po e kthente në mesin e fushës së tij, për të krijuar shansin e parë të Heidenheimit. Pasuan veprime të tjera, që nuk janë parë për shumë muaj nga lojtari kryesor i Xabi Alonsos. Një pasim i keq këtu, një kontrollim i keq i topit atje.
Majtaku, që u paraqit me saktësi të orës zvicerane gjatë edicionit të kaluar, që përfundoi me dy trofe, nuk ishte matës i besueshëm dhe nuk vendosi ritmin në lojën e Leverkusenit, në fitoren me fat ndaj Heidenheimit.
Ishte paraqitja e dytë rresht e mesfushorit që solli pyetje të shumta. Lojtari me më së shumti paraqitje për Zvicrën, njëjtë si shumica e bashkëlojtarëve të tij, është dukur shumë zbehtë në humbjen 2:1 nga Bielefeldi në ndeshjen për Kupë, të martën e kaluar.
Ndonëse Xhaka, bazuar në klasin e tij, bëri disa pasime të mira në nismë të ndeshjes me Heidenheimin dhe ishte i përfshirë në golin e fitores, ai u paraqit nën nivelin që pritej. Madje edhe vet ka pritur më shumë.
“Kjo ndeshje dhe ajo në Bielefeld nuk ishin ato që i kam pritur nga vetja”, ka thënë 32-vjeçari me sinqeritet. Derisa është pyetur për nivelin më të ulët të tij, ai ka vazhduar: “Para kësaj isha shumë i lumtur me veten”.
Xhaka e ka pasur fjalën për ndeshjet në Frankfurt (4:1) dhe në Stuttgart (4:3).
“Është normale të kesh ndeshje të keqe kohë pas kohe”, ka thënë lideri i mesfushës. “Unë jam vetëm njeri”.
Gjatë gjithë edicionit të kaluar, Xhaka nuk ka lënë përshtypjen se është njeri, por një makinë e përsosur e pasimit. Kryestrategu i Leverkusenit është paraqitur në nivel aq të lartë dhe me aq pak gabime sa që pasimet jo të mira në humbjen 2:0 nga Bayerni në Champions dhe në humbjen 2:0 nga Bremeni, kanë rënë shumë në sy pasi nuk ndodhnin për muaj të tërë.
Është hera e dytë këtë edicion që Xhaka nuk po shfaq nivelin e zakonshëm. Hera e parë ishte në fillim të edicionit, kur Xhaka, pas Evropianit dhe pas lëndimit muskular, nuk është dukur mjaftueshëm i freskët. Pos kësaj, Bayer Leverkuseni nuk po luante mirë taktikisht dhe kishte boshllëqe të mëdha mes reparteve.
Stili aktual i Leverkusenit nuk është që i përshtatet shumë mesfushorit.
“Pas ndërprerjeve kemi luajtur në mënyrë tjetër. Në vend të topave të gjatë, ne kemi kombinuar”, thotë Xhaka.
Trajneri Xabi Alonso, njëjtë si vitin e kaluar, vazhdon të llogarisë në dorën e zgjatur në fushë, gjatë gjithë edicionit. Në fazën finale të kampionatit të kaluar, mungesa e freskisë te Xhaka është vërejtur për shkak të ngarkesës së vazhdueshme. Nuk ishte e dukshme sa tani, pasi skuadra funksiononte thuajse në mënyrë të përkryer atë kohë, por vërehej. Një rotacion më i shpeshtë në skuadër do t’i bënte mirë lojtarit të pëlqyer të Leverkusenit. Atëherë e tani.
Është në natyrën e Xhakës që mos ta kërkojë këtë (zëvendësimin apo pushimin) asnjëherë nga trajneri. Ai e di përgjegjësinë që e ka. Këtë e bëri të qartë të shtunën pas ndeshjes.
“Jam i pari që e kritikoj veten”, thotë mesfushori. “Por është me rëndësi për mua të jem aty dhe ta ndihmoj ekipin në mënyrë të ndryshme, kur gjërat nuk shkojnë si duhet”.
Nëse Bayeri dëshiron të mbajë gjallë shpresat për titull, Xhaka duhet të jetë në gjendje të kthehet shpejt në nivelin e duhur dhe ta ketë frekinë e duhur.
Bayeri nuk mund të fitojë gjashtë ndeshje pa Xhakën. Për ta bërë këtë, Alonso duhet t’ia japë atij gjithë ndihmën që mundet.