Rikthimi i Granit Xhakës në Moenchengladbach, ku luajti për Borussian prej vitit 2012 deri në vitin 2016, ishte shumë i suksesshëm në fazën ofensive në fitoren 3:2 të Leverkusenit në ndeshjen e parë të edicionit të ri të Bundesligës, por njësoj si i gjithë ekipi i Leverkusenit, shfaqi dobësi të pazakontë në mbrojtje
Leverkusen, 24 gusht (Kicker) – Ai e bëri sensacionin e parë të sezonit. Gjuajtja shumë e fuqishme nga 23 metra, ishte e paarritshme për portierin kundërshtar. Goli i ëndrrave i dha Leverkusenit epërsinë pas 12 minutash. Xhaka nuk festoi. Pas ndeshjes tha se i respekton tifozët e Gladbachut dhe klubin në tërësi.
Në minutën e 57-të, Xhaka dhuroi pasim të shkëlqyer për Jeremie Frimpongun, që e shpërdoroi mundësinë për të realizuar për 3:0.
“Nuk ishte ndeshje e përkryer”
Të dyja skenat e shfaqura treguan cilësitë e një mesfushori të klasit botëror, por në të njëjtën kohë, Xhaka tregoi dobësi në fazën defensive kësaj radhe. Xhaka i pranoi gabimet. “Para se të shënohej goli, nuk e largova topin me kokë”, thotë Xhaka, ndërsa shton se te goli i dytë ishin pa fat. “Jo çdo sulmues mund ta fus këmbën aty. Por ne mund të bëjmë shumë gjëra më mirë. Nuk ishte e përkryer”, thotë Xhaka.
Dhe kjo është e vërtetë pasi Gladbachu e barazoi rezultatin në 2:2. Ishte tregues se Leverkuseni ishte shumë pasiv dhe gabonte shumë. Së pari, Florian Wirtz dhe Amine Adli e lejuan Kevin Stoegerin e Gladbachut të lëvizte lirshëm në mesfushë. Më pas, Alejandro Grimaldo nuk bëri presion në Joe Scallyn në krah. Ai pasoi për Stoegerin, të cilit Xhaka i dha shumë kohë. Stoeger dhuroi pasim të mirë në zonë dhe e gjeti golashënuesin Tim Kleindienst, i cili nuk u mbulua mirë nga Edmond Tapsoba.
Xabi Alonso dhe Xhaka nuk janë të kënaqur
Gabime të tilla nuk janë parë nga Leverkuseni për një kohë të gjatë. “Nuk ishim të bashkuar, ishim pasiv. Ky nuk është standardi ynë”, ka thënë trajneri Xabi Alonso pas ndeshjes. Edhe Xhaka e pranoi një gjë të tillë.
“Jam mjaftueshëm realist për ta ditur nëse gjërat po shkojnë mirë apo jo. Nuk jam më 18-vjeçar, por afro 32-vjeçar. Dhe mund ta gjykojë veten më mirë. Ka hapësira për përmirësim për mua dhe gjithë ekipin”, ka thënë Xhaka duke kritikuar veten e të tjerët. “Por jam i bindur se do të luajmë ndeshje edhe më të mira”, thotë ai.
Dobësitë në mbrojtje ishin të qarta edhe në fazën përgatitore. “Nuk ishim të fokusuar dy herë dhe dy herë u ndëshkuam. Por treguam edhe një herë tjetër se ne nuk dorëzohemi. Besojmë në vetvete deri në fund”, thotë ai.
Leverkuseni vazhdon serinë e golave në minutat shtesë
Bayer Leverkuseni vazhdoi me serinë e golave në minutat shtesë. Kësaj radhe ishte goli i Wirtzit në minutën e 11-të të shtesës. Penalltia u fitua pas intervenimit të VAR-it. Wirtzi realizoi pas topit të kthyer, pasi gjuajtjen e parë nga pika e bardhë e priti portieri i Gladbachut.
“Natyrisht se nuk mund të shpresojmë gjithmonë në golat e minutave shtesë. Ne duhet t’i vendosim sfidat më herët. Patëm mundësi për ta bërë një gjë të tillë”, thotë Xhaka duke shtuar se gjërat e tilla nuk mund të funksionojnë çdo herë.
“Nëse nuk shënon, do të pësosh gola. Por jemi të lumtur për fitoren, që u arrit falë fuqisë sonë, pavarësisht dobësisë së pazakontë”.