Futboll

Xhaka për herë të dytë në Serbi, pse vizita e parë ishte e veçantë?

Granit Xhaka

Në dy ndeshjet me Serbinë, Granit Xhaka ishte fitimtar i madh. Në Kampionatin Botëror në Rusi në vitin 2018 dhe në Kampionatin Botëror në vitin 2022 në Katar, Xhaka ishte prej liderëve të Zvicrës në fitoret ndaj Serbisë, që ishin festuar edhe në Kosovë e nga shumë shqiptarë.

Por kapiteni i Zvicrës, Xhaka, ishte fitimtar i madh edhe në vizitën e kaluar në Serbi. Tjetër udhëtim për në këtë vend e pret të premten. Të shtunën, Serbia e Zvicra përballen në Leskovc në kuadër të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Në javën e  fundit të marsit të vitit të kaluar, Xhaka udhëhoqi Zvicrën drejt një fitoreje bindëse, 5:0, në stadiumin “Karagjorgje” në Novi- Sad të Serbisë. Ndeshja nuk ishte ndaj Serbisë, por ndaj Bjellorusisë. Për shkak se ka përkrahur Rusinë në pushtimin e Ukrainës, Bjellorusia ende nuk lejohet të luajë në territorin e saj. Dhe atë ndeshje me Zvicrën, që ishte e para e kualifikimeve për “Euro 2024”, Bjellorusia e organizoi në Novi-Sad, në stadiumin e vjetër të këtij qyteti.

Shikues nuk kishte. Kishte shumë forca të policisë serbe, edhe në objektet e larta përreth stadiumit, ndërsa ndeshja kaloi pa ndonjë telash. Në fushë kishte shkëlqim nga lojtarët e Zvicrës, sidomos nga Xhaka. Ai shënoi njërin gol në fitoren 5:0. Ruajti qetësinë gjatë gjithë ndeshjes dhe udhëhoqi thuajse secilin aksion të Zvicrës.

Xhaka në atë ndeshje, të cilën e përcolli edhe ekipi i KOHËS, ishte lojtari i vetëm shqiptar. Xherdan Shaqiri e Andi Zeqiri ishin të lënduar dhe nuk ishin grumbulluar me Zvicrën. Shaqiri tashmë i ka dhënë fund karrierës me helvetikët, ndërsa Zeqiri është grumbulluar për ndeshjen e së shtunës në Leskovc.

Helvetikët, njëjtë si këtë herë, nuk kishin stërvitur në Serbi. Për në Beograd kishin udhëtuar në mbrëmjen para ndeshjes. Nuk kishte pasur ndonjë moment tensioni as në aeroport, ndërsa hotelin Zvicra e kishte zgjedhur disa kilometra larg Novi-Sadit për të shmangur çdo moment të pakëndshëm. Pasi ndeshja ishte pa shikues dhe po luante Bjellorusia, ajo kaloi pa u vërejtur nga shumica e qytetarëve të Novi- Sadit.

Në stadium të vetmit që dëgjoheshin ishin lojtarët duke komunikuar mes vete. Prej më të zëshmëve ishte Xhaka. Ai si kapiten i vërtetë udhëhoqi Zvicrën drejt fitores bindëse. Dha vazhdimisht këshilla për bashkëlojtarët. Mbuloi me shumë sukses anën e majtë të mesfushës, por gjendej thuajse në çdo cep. Ishte i përfshirë në aksionet e golave dhe pos që e shënoi një, e asistoi një tjetër.

Fushën e la në minutën e 66-të, qetë e ngadalë dhe me krenari për një ndeshje gati të përkryer. U zëvendësua pak pasi shënoi për 4:0 dhe asistoi për 5:0.

Pas ndeshjes, zëdhënësi i Federatës zvicerane solli te gazetarët, që kryesisht ishin zviceranë, shumë lojtarë që përgjigjeshin në pyetje. Foli edhe selektori Murat Yakin. Por Granit Xhaka nuk u soll te gazetarët, ndonëse kjo u kërkua.

“Jo, nuk ka shanse. Xhaka nuk flet”, tha zëdhënësi i Federatës helvetike.

Xhaka kishte folur në fushën e stadiumit “Karagjorgje” në atë natë të ftohtë të marsit.

Me shumë gjasë nuk do të deklarohet as para ndeshjes të së shtunës me Serbinë në Leskovc, e ndoshta as pas saj. Por shpresat janë të mëdha që ai do ta udhëheqë sërish Zvicrën drejt një fitoreje të ëmbël.