Sezoni i tmerrit për FC Baselin ka përfunduar. I riu është në prag. FC Baseli do ta nisë edicionin e ri në Lozanë. Qëllimi është i qartë: sezoni i dobët duhet të pasohet me shkëlqim. Kush është kthyer: Taulant Xhaka. Sigurisht që është kthyer. Por çfarë pritet?
Veterani i Baselit ka luajtur 394 ndeshje për “kuqeblutë”. Në këto ndeshje ai ka shënuar nëntë gola dhe asistoi 30 herë. Ai është i pëlqyeri i shikuesve – veçanërisht nga ultrasit e Baselit, sepse jep gjithçka për Baselin, sepse shqyen veten në fushë për ekipin, sepse ai shfaq emocion. Dhe pavarësisht kësaj dashurie, jo gjithnjë ishte e lehtë për Taulant Xhakën sezonin e kaluar.
Jo vetëm sepse Baseli po luftonte kundër rënies, por sepse Xhaka u lëndua vazhdimisht. Herë pas herë luajti pak ose aspak. Më pas ai e ka shprehur zemërimin e tij në rrjetet sociale. Kjo u pasua nga një bisedë sqaruese me shefin e klubit, David Degen. Dhe kështu lind pyetja para fillimit të edicionit të ri. Cili do të jetë roli i 33-vjeçarit?
Për “20 Minuten”, Taulant Xhaka tha se nuk e di rolin e tij.
“Nuk e di ende rolin tim të saktë. Një gjë është e sigurt. Unë si lider do ta drejtoj ekipin dhe do të jem personi i diskutimit me djemtë”, tha Xhaka, që me Baselin po përgatiten për edicionin e ri në Seefeld të Austrisë.
Më pas ai shtoi se mirëpret vendimet e trajnerit.
“Nëse trajneri më inkuadron, kjo është mirë. Nëse jo, duhet ta pranoj”, është shprehur ai.
Ai thjesht po përpiqet të qëndrojë pozitiv dhe të shijojë momentet që po ia jep futbolli, thotë Xhaka, i cili ndalet dhe më pas thotë qartë.
“Në fakt, nuk duhet të ketë rëndësi se kush luan nga fillimi. Ne jemi një ekip dhe jemi të fortë vetëm si ekip”.
Janë fjalë të një lideri. Ai thotë se mund të kesh shumë ndikim brenda dhe jashtë fushës dhe se duhet ta bëjë këtë si lider.
“Për shembull, unë mund t’u them djemve se si është të bëhesh kampion dhe të festosh. Shumë pak njerëz në ekip e kanë përjetuar këtë”, është shprehur ai.
Sezonin e kaluar Taulant Xhaka startoi në nëntë nga dhjetë ndeshjet e fundit të kampionatit zviceran të futbollit. Ai me Baselin ka kontratë deri në vitin 2027.
Për Xhakën ka folur edhe trajneri i Baselit, Fabio Celestini.
“Nuk ishte gjithmonë e lehtë zezoni i kaluar për të. Ndonjëherë e gjeja të trishtuar. Por pasi biseduam dhe situata e tij ishte e qartë, pashë një Taulant ndryshe në fund të sezonit”, tha Celstini. “Unë e pashë si një lider të madh”.
Trajneri i Baselit entuziazmohet. “E di që mund të mbështetet tek ai çdo ndeshje. Pa marrë parasysh se kur e vë në dispozicion. Ai gjithmonë lufton. Kjo është fantastike”.
Është e qartë se ai është një nga kapitenët.
“Ne kemi nevojë për të”, është shprehur trajneri i Baselit.
Celestini jo vetëm që e lavdëron veteranin, por edhe flet qartë. Ai thotë se Xhaka do të përballet me konkurrencë të fortë në mesfushë.
Në fund të fundit unë duhet të vendos se cili do të jetë më i miri për ekip”, ka thënë Celsetini.
Roli i veteranit të Baselit nuk është aq i qartë. Kjo do të kuptohet në nismë të kampionatit. Për kujtesë, Celestini vlerësoi yllin e Baselit, Michael Lang, në shumë konferenca për shtyp, por kjo nuk luajti rol. Lang zakonisht ulej në stol apo përfundonte në tribuna. Kështu që mbetet për t’u parë.