Në Dublin të Irlandës të mërkurën prej orës 21:00 zhvillohet finalja e Ligës së Evropës, garës së dytë kontinentale për nga niveli. Përballen Atalanta dhe Bayer Leverkuseni.
Leverkusenin në mesfushë do ta udhëheqë Granit Xhaka. Leverkuseni tashmë ka fituar Bundesligën dhe është edhe në finale të Kupës së Gjermanisë. Për më tepër nuk e ka humbur asnjë ndeshje këtë edicion garues dhe dy finalet janë mundësia e madhe për suksesin historik – sigurimin e tre trofeve në një edicion pa disfatë. Sfida e madhe e Leverkusenit vlerësohet finalja e Ligës së Evropës.
Te skuadra gjermane, megjithatë ka optimizëm. Leverkuseni pritet të ketë përkrahje të madhe në Dublin, ndërsa shumë do të varet edhe nga paraqitja e Xhakës në mesin e fushës. Kapiteni i Zvicrës është shprehur i gatshëm për finalen e madhe.
“Mendoj se kemi shumëçka për të humbur. Finalet luhen për t’i fituar. Synimi ynë primar ishte ta fitojmë Bundesligës, ndërsa synimi sekondar ishte të fitojmë Ligën e Evropës. Do të bëjmë çdo gjë të mundur q të kthehemi në Gjermani me trofe”, ka thënë Xhaka në konferencën për shtyp, të martën.
Ai ka folur me respekt për Atalantan, ndërsa ka thënë se në finale nuk ka autsajderë. Xhak ka përmendur kundërshtarët e mëdhenj që i eliminoi Atalanta.
“Nuk besoj se në finale ka autsajderë. Nëse e mposhtni Liverpoolin dhe nëse e mposhtni Marseillen, atëherë ju e meritoni të jeni në finale”, ka theksuar Xhaka.
Merita të mëdha për edicionin e jashtëzakonshëm të Leverkusenit vlerësohet se ka trajneri Xabi Alonso. Xhaka ka folur shumë herë për ndikimin e Alonsos.
Xhaka e ka përvojën e finales në Ligën e Evropës. Me Arsenalin ishte mposhtur 4:1 nga Chelsea në vitin 2019.
“Është finalja ime e dytë në Ligën e Evropës. Në të parën jemi mposhtur, por në jetë gjithnjë fiton rastin e dytë. Dhe nëse keni rastin e dytë ju mundoheni dhe jepni çdo gjë”, ka theksuar Xhaka.
Në çerekfinale, Leverkuseni e eliminoi West Hamin. Në gjysmëfinale e kaloi Romën dhe tani e ka përballë skuadrën tjetër italiane, Atalantan.