Futboll

Xhaka i kaloi pritshmëritë, u bë zemra e ekipit të Alonsos

Granit Xhaka - Bayer Leverkusen

Granit Xhaka arriti te Bayer Leverkuseni para 11 muajsh me pritshmëri të mëdha. Ai u vlerësua nga bashkëlojtarë,t kurse ishte figurë e admiruar edhe nga trajnerët gjatë gjithë karrierës. Megjithatë, Xhaka është i vetëdijshëm se përfundimi i garave në Gjermani pa humbje dhe me ngritjen e trofeut të Bundesligës dhe Kupës së Gjermanisë, ka qenë përtej pritshmërive.

Xhaka ishte shënuesi i golit të vetëm që ia siguroi Bayer Leverkusenit fitoren në “Olympiastadion” të shtunën ndaj Kaiserslauternit, në finale të Kupës së Gjermanisë. Mesfushori i pandalshëm realizoi supergol me gjuajtje nga distanca në pjesën e parë. Me golin e tij, Leverkuseni fitoi finalen 1:0. E mbajti epërsinë, ndonëse në fundin e pjesës së parë me kartonin e dytë të verdhë u ndëshkua Odilon Kossounou.

Ish-mesfushori i Arsenalit ka qenë figura kryesore në një edicion me sukses më të madh sesa që e kanë imagjinuar te Leverkuseni. Futbollisti që përfaqëson Zvicrën vendosi rekord të Bundesligës për prekje të topit e pasime të kompletuara. 31-vjeçari është vlerësuar në klub edhe për ndikimin jashtë fushës, dhe si lidhja kryesore me trajnerin Xabi Alonso në dhomat e zhveshjes. Leverkuseni theu edhe rekordin me 51 ndeshje pa pësuar disfatë në të gjitha garat.

“Pritshmëritë ishin të mëdha”, ka thënë Xhaka për “CBS Sports” kur u pyet se çfarë kishte pritur pasi i ishte bashkuar Leverkusenit në fillim të korrikut në vitin 2023. “Ky jam unë. Natyrisht, mund të ëndërrosh por duhet shumë punë për ta arritur. Për t’i fituar dy trofe pas vitit të parë ka qenë më shumë se që unë kam pritur. Ne kemi synime gjatë viteve, por kjo është më se e merituar. Nuk ishte ndeshje e lehtë pas kartonit të kuq. Ekipi tregoi karakter të fortë, mentalitet dhe për të ardhur deri këtu, për të qëndruar këtu me familjen, është diçka të cilën gjithkush e ëndërron”.

Puna nuk do të ndalet për Xhakën që do të jetë kapiten i Zvicrës në “Euro 2024”. Para Evropianit ai do të kthehet në Angli të hënën për ta kompletuar licencën A të UEFA-s për trajnerë. “Trajneri” i Leverkusenit në fushë një ditë mund t’i bartë edhe nga jashtë aftësitë që ka. Për momentin, megjithatë, ai ka ende shumë gjëra për të arritur si lojtar.

“Nëse do të mund ta ktheja kohën, do ta nisja marrjen e licencave më herët”, ka thënë Xhaka, i cili nisi kurset për trajner sa ishte lojtar i Arsenalit. “Natyrisht se dua të jem lojtar edhe më gjatë, por licenca e trajnerit më ka ndihmuar shumë si personalitet, karakter dhe se si e sheh ndeshjen nga jashtë. Sfidat e mia janë ende si lojtar dhe do të mundohem t’i shijoj sa më shumë”.

Nëse Xhaka ka nevojë për të marrë shembull në rolin e trajnerit, ai mund ta gjejë tek Alonso. Trajneri i Bayer Leverkusenit e kishte Xhakën transferimin kryesor në afatin kalimtar të verës dhe ardhja e tij u shpagua për mrekulli.

“Ai ma ka lehtësuar punën”, ka thënë Alonso për numrin 34 të skuadrës. “Ai ka luajtur rol të madh në këtë sukses. Pa të nuk do të ishte e mundur”.

Triumfi në Bundesligë për Leverkusenin ishte titulli i parë në histori. Trofeu i Kupës së Gjermanisë ishte i pari për Leverkusenin që prej edicionit 1992/93. Skuadra gjermane ishte afër që ta kompletonte tripletën, por u mposht 3:0 nga Atalanta në finale të Ligës së Evropës në mesjavën e kaluar.

Skuadra e Alonsos në total zhvilloi 53 ndeshje këtë edicion. Prej tyre i realizoi 43 fitore, barazoi nëntë herë dhe e humbi vetëm një ballafaqim, atë nga skuadra italiane.

Alonso e ka konfirmuar se do të vazhdojë të jetë trajner i Leverkusenit, ndërsa e refuzoi Bayern Munichun më herët gjatë edicionit.

Nën drejtimin e spanjollit synohen të tjera suksese në sezonin e ardhshëm. Natyrisht me Xhakën si zemër të ekipit.