Granit Xhaka pranon se kalimi i tij nga Arsenali te Bayer Leverkuseni ishte parë, të paktën në Angli, si “hap prapa”. Një vit më pas, mesfushori synon paraqitje edhe më të mëdha pas suksesit të dyfishtë në edicionin e kaluar.
Xhaka u transferua nga “revolveristët” në verën e vitit 2023 dhe është bërë njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm te kampioni i Gjermanisë. Xhaka është shumë kërkues, edhe atëherë kur ai duket se e ka arritur kulmin.
“Për mua nuk ishte hap prapa, por ishte dy hapa para”, kishte thënë Xhaka për mediat në qendrën stërvitore të Leverkusenit në Donaueschingen, një vit pasi ishte kthyer në Gjermani. “Sepse e kisha këtë ndjenjë gjatë bisedimeve me trajnerin Xabi Alonso dhe me drejtorin menaxhues, Simon Rolfes. E dija se diçka e veçantë mund të ndodhë këtu në vitet e ardhshme”.
Të thuash se ka ndodhur diçka e veçantë mund të konsiderohet si nënvlerësim. Jo vetëm që Leverkuseni e fitoi titullin e parë në Bundesligë, por e bëri në mënyrë të jashtëzakonshme, duke e përfunduar kampionatin pa humbje.
Vetëm Alejandro Grimaldo pati më shumë paraqitje se kapiteni i Zvicrës. Xhaka kishte zhvilluar 50 ndeshje, përfshirë edhe ndeshjet e Kupës së Gjermanisë, trofe i cili po ashtu i takoi Leverkusenit.
Megjithatë, humbja e vetme e sezonit ishte në finale të Ligës së Evropës nga Atalanta. Xhaka është i vetëdijshëm se tjera humbje do të vijnë, por ato do të përdoren vetëm për motivim për të vazhduar tutje.
“Paraqitja jonë ishte thuajse e përkryer në edicionin e kaluar”, ka thënë ai. “Sigurisht, mund të luash në atë mënyrë një vit, mund të fitosh titull një vit – por ne duam më shumë. Jam i bindur se edhe do të humbim ndeshje. Por natyrisht, ne duam të jemi lart dhe padyshim se ky është synimi jonë”, ka deklaruar Xhaka për faqen zyrtare të Bundesligës të enjten.
“Trajneri na ka thënë këtë qartë, në stërvitjen e parë të sezonit: ‘Ajo që ka ndodhur, i takon së kaluarës. Nuk mund të blejmë asgjë me atë që është arritur vitin e kaluar. Sezoni i ri, garë e re’. Të gjithë duhet të japim më të mirën, dhe t’ia bëjmë atij të vështirë zgjedhjen e formacionit titullar. Nuk duhet të mendojmë për atë çfarë ka ndodhur, por për atë që na pret. Na pret faza përgatitore, ndeshjet miqësore, dhe natyrisht se ne po shikojmë para”.
Leverkuseni ka bërë tri transferime të rëndësishme. Ka afruar në skuadër Martin Terrier, Aleix Garcia dhe Jeanuel Belocian, që do t’i mbushin zbrazëtirat në sulm, mesfushë dhe mbrojtje. Falë suksesit të edicionit të kaluar, tifozët e Leverkusenit do të kenë mundësi të ndjekin edhe ndeshje të Ligës së Kampionëve.
“Tani e kemi kualitetin në ekip për ato ndeshje. Me lojtarët e rinj, mund të bëjmë edhe shumë ndryshime në skuadër”.
Xhaka ka folur edhe për trajnerin Xabi Alonso. Ai ka thënë se trajneri ka refuzuar disa oferta. “E tregon karakterin që e ka”, ka thënë mesfushori për spekulimet që janë bërë rreth spanjollit. “Të kesh oferta dhe të qëndrosh në skuadër, të besosh në këtë ekip se mund të shkosh një hap më lart, ka qenë ajo që e kemi pritur prej tij. Ne e dimë që një ditë largimi i tij do të vijë, kjo është e qartë sepse ai është e ardhmja e trajnerëve. Por ne jemi të lumtur që ai është këtu. Jemi të lumtur që mund të stërvitemi me të dhe të përmirësohemi nën urdhrat e tij ditë pas dite”.
Bundesliga është vendi ku Xhaka bëri emër. Nisi te Borussia Muenchengladbachu nga viti 2012 deri në vitin 2016, u kthye pas shtatë vjetësh te Leverkuseni, dhe tani është gati që t’i sfidojë kritikët edhe një herë tjetër. Është gati që të shfaqë nivel edhe më të lartë.
“Liga e Kampionëve është ëndërr e çdo futbollisti”, shpjegon ai. “Dhe për mua natyrisht se është e rëndësishme të luaj në Ligën e Kampionëve sërish, pas shtatë vjetësh. Por, kampionati mbetet prioritet. Liga e Kampionëve është e mirë, por ne kemi prioritete të qarta. Për mua, maratona në Bundesligë është më e rëndësishme sesa Liga e Kampionëve”.
Për herën e parë në historinë e vet, Leverkuseni hyn në edicionin e ri të Bundesligës si kampion në fuqi, ndërsa synim ka mbrojtjen e titullit. Leverkuseni ndali dominimin 11-vjeçar të Bayern Munichut.
Leipzigu dhe Borussia Dortmundi po ashtu janë forcuar, dhe këtë e di mirë futbollisti me më së shumti paraqitje te Zvicra.
“Presioni është i lartë padyshim, duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë”, ka thënë ai. “Secili lojtar, stafi dhe klubi. Pritjet padyshim se janë rritur, por kjo është bërë falë nesh. Ne duam që ta përballojmë presionin. Kjo kërkohet nga ne, lojtarët me eksperiencë, që t’ua përcjellim të rinjve. Nuk mendojmë tani se ‘në rregull, gjithçka do të shkojë vetë’. Në fakt, ne duhet të bëjmë më shumë se në vitin e kaluar”, shton ai.
Dhe si po planifikon Xhaka që ta udhëheqë Leverkusenin në skenën e ardhshme? Plani është i thjeshtë, por ka diçka që ka qenë shumë efektive deri tani.
“Duhet të përmirësohemi çdo ditë në mënyrë që të garojmë me më të mirët. Nuk duhet të kënaqemi me atë që arrijmë. Xabi Alonso e ka përçuar këtë mesazh nga fillimi”, ka thënë Xhaka.
“Natyrisht se i kemi synimet tona. Në Ligën e Kampionëve po ashtu. Por, vitin e kaluar, motoja jonë ishte ‘ndeshje-pas-ndeshje’, dhe kjo funksionoi. Kjo gjë nuk do të ndryshojë as këtë vit”.