Como të shtunën fitoi 3:1 në udhëtim ndaj Monzas. Trepikëshi nga ndeshja e xhiros së 31-të i ka ndihmuar Comos për arritjen e objektivit që e ka këtë edicion – mbetjen në elitën italiane të futbollit.
Mërgim Vojvoda kontribuoi në fitore, madje me supergol. Goli i tij në minutën e 51-të thuajse e vendosi sfidën. Como tani zë vendin e 13-të me 33 pikë, por ende nuk e ka të sigurt mbetjen në elitë.
Për Vojvodën ishte goli i parë në Serie A pas gati katër vjetësh. Golat e fundit në ligën italiane reprezentuesi i Kosovës i kishte realizuar më 3 dhe 9 maj të vitit 2021. Ai kishte shënuar në dy ndeshje rresht, ndaj Parmës dhe Veronës, sa ishte futbollist i Torinos.
Golin e shënuar të shtunën, Vojvoda e ka vlerësuar si njërin prej më të mirëve në karrierë.
“Në fillim nuk mendova për gjuajtje në portë. Por teksa po e udhëhiqja topin e pash që mbrojtësi nuk po vinte në drejtimin tim. Posa hyra në zonë, provova gjuajtjen dhe shkoi gjithçka mirë. Po, ishte gol i bukur”, ka thënë Vojvoda për mediumin “La Provincia di Como”.
Ishte ndeshja e dytë rresht si titullar për 30-vjeçarin.
Futbollisti i krahut e ka nisur karrierën në Holandë te të rinjtë e Maastrichtit, ndërsa më pas ka luajtur për Standard Liegen, Mouscronin e Sint-Truidenin në Belgjikë. Për një kohë ishte i huazuar edhe te Carl Zeiss Jena në Gjermani.
Futbollit italian iu bashkua në shtator të vitit 2020, kur për 5 milionë euro u transferua te Torino. Pas pesë vjetësh të kaluara te skuadra torineze, Vojvoda në shkurt të këtij viti u transferua te Como që drejtohet nga emri i njohur i futbollit, Cesc Fabregas, për 2.5 milionë euro.
Vojvoda u zëvendësua tetë minuta pasi realizoi golin, por ngadalë ka nisur ta gjejë formën dhe po shndërrohet në lojtar të rëndësishëm të Comos. Atij i ka pëlqyer nga fillimi projekti i skuadrës modeste.
“Fillimisht duhet ta ndjesh që projekti ekziston dhe është konkret. Klubi dëshiron që gjërat të shkojnë mirë dhe kjo bën që lojtarët të japin gjithmonë më të mirën. Afërsia e klubit është e rëndësishme për lojtarët. Kur të gjithë japin 100 për qind nga vetja, gjërat shkojnë mirë dhe klubi mund të rritet, njësoj si ambiciet”, ka deklaruar Vojvoda.
Ai ka folur edhe për trajnerin Fabregas, të cilin e përshkruan si njeri të qetë që mundohet gjithmonë të nxjerrë më të mirën nga lojtarët.
“Të gjithë në klub janë me këmbë në tokë dhe synojnë të mësojë sa më shumë. Kemi një trajner i cili të jep vetëbesim dhe e di mënyrën për të na mësuar shumë gjëra, pasi edhe në të kaluarën si lojtar ka luajtur në nivele të larta”.
Trajneri spanjoll, Fabregas, e ka parë nga fillimi që Vojvoda më të mirën mund ta jap vetëm në krahun e djathtë të mbrojtjes. Viteve të fundit te Torino ai më shumë ka luajtur në krahun e majtë të mbrojtjes. Por, kosovari thotë se nuk e ka problem të luajë kudo në fazën defensive.
“Nuk është rol i panjohur për mua sepse janë bërë katër vjet qëkur kam luajtur fillimisht në atë pozitë. Në Torino luaja në krahun e majtë apo në sistemin me tre mbrojtës. Më duhet të them se më pëlqen, e kam bërë edhe në ekipin përfaqësues dhe më duhet të mësojë ende shumë gjëra në këtë rol. Por sa i përket mentalitetit, ne gjithmonë synojmë për më të mirën. Kështu që do të nxjerrim më të mirën në shtatë ndeshjet e fundit”.
Vojvoda këtë edicionin ka zhvilluar 22 ndeshje dhe e ka edhe një asistim. Vlerësohet i rëndësishëm edhe te Përfaqësuesja e Kosovës me të cilën ka 51 ndeshje e dy gola.