Bayer Leverkuseni dominoi ndaj Bayern Munichut në derbin e së shtunës në Bundesligë, por dështoi të shpërblejë veten për paraqitjen në fushë. Ndeshja përfundoi 0:0.
Kampioni në fuqi madje nuk u rrezikua asnjëherë gjatë gjithë ndeshjes dhe kjo është përmendur nga Granit Xhaka pas ndeshjes. Xhaka ishte prej më të mirëve në fushë.
“Nuk mbaj mend që Bayerni ka pasur goditje në drejtim të portës”, ka thënë Xhaka për “Sky”.
Bavarezët i kishin dy goditje në fakt. Në minutën e 73-të një goditje e Harry Kane u bllokua, ndërsa një goditje me kokë e Leon Goretzkas shtatë minuta më pas përfundoi larg portës.
“Të luash ndaj Bayernit në atë mënyrë, me aq shumë karakter, me atë mentalitet dhe atë përkushtim, kjo meriton shumë respekt”, ka shtuar Xhaka.
Portieri i Leverkusenit, Lukas Hradecky nuk është sfiduar asnjëherë.
Krejt ndryshe ishte në anën tjetër të fushës. Por Leverkuseni nuk konkretizoi dominimin. Dhe kështu Bayerni mbetet tetë pikë para Leverkusenit.
Xhaka nuk e ka problem ta shikojë tabelën.
“Nuk na intereson kjo. Nuk na interesoi as vitin e kaluar kur ishim 20 pikë para dhe nuk na intereson as sot”, ka thënë 32-vjeçari.
“Pavarësisht nëse jemi tetë pikë, pesë pikë apo 11 pikë prapa Bayernit, për sa kohë vazhdojmë kështu ne mund të jemi krenar me veten. Dhe nëse Bayerni vazhdon të fitojë ndeshjet atëherë duhet t’ua zgjasim dorën lojtarëve të kësaj skuadre dhe t’i urojmë”, ka vazhduar Xhaka.