Futboll

Villarreali e Reali zhvillojnë ndeshje dramatike

Villarreal vs Real Madrid

Villarreali e Real Madridi kanë zhvilluar ndeshje dramatike duke shënuar tetë gola, por në fund u ndanë baras.

Villarreali dhe kampioni i La Ligas për këtë edicion, Real Madridi, barazuan 4:4.

Ndeshja i ka takuar xhiros së parafundit të La Ligas.

Arda Guler dhe Joselu i shënuan dy golat e para për mysafirët në minutën e 14-të dhe të 30-të.

Alexander Sorloth, që shënoi katër gola në këtë ballafaqim, në minutën e 39-të e ngushtoi epërsinë në 2:1.

Por, Lucas Vazquez në minutën e 40-të dhe Guler me një tjetër gol në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, e dërguan skuadrën e tyre në pushim me epërsi prej tri golave.

Sorloth në pjesën e dytë i shënoi edhe tri gola tjerë për rezultatin final, 4:4.

Ai shënoi në minutën e 48-të, 52-të dhe të 56-të.

Sorloth është në garë me Artem Dovbykun për “Këpucën e Artë” në La Liga.

Sorloth ka 23 gola kurse Dovbyk ka 21.

Real Madridi është i pari me 94 pikë, kurse Villarreali ka 52 pikë në vendin e tetë.

Asnjëra skuadër nuk do të ndryshojë në renditje edhe pas fundit të kampionatit.