Futboll

Vezë, qumësht e traktorë – mënyra e veçantë e klubit norvegjez për të respektuar trashëgiminë

FK Bryne

Portieri holandez Jan de Boer u shpall lojtari më i mirë i Brynes në ndeshjen ndaj Bodo/Glimt para një jave. Fitoi katër tablo me vezë.

FK Bryne është kthyer në elitën e futbollit të Norvegjisë pas 22 vjetësh dhe po fiton edhe më shumë popullaritet për shkak të qëndrimit besnik ndaj rrënjëve që lidhen me bujqësinë. Kjo bëhet duke përdorur traktorë që shërbejnë si tribuna, apo duke i dhënë qumësht dhe vezë lojtarit më të mirë të ndeshjes.

I njohur më së shumti si klubi i parë i sulmuesit të Manchester Cityt, Erling Haaland, FK Bryne është nga vendbanimi me emër të njëjtë, me popullsi prej 13 mijë banorësh. Kjo qytezë është e rrethuar nga toka bujqësore, ndërsa është 30 kilometra larg Stavangerit, qytetit të tretë më të madh në Norvegji.

Me një stadium që mezi i zë 5000 tifozë, klubi i përmbahet plotësisht trashëgimisë së tij.

“Qëllimi ynë është të krijojmë një identitet fermerësh dhe të ngjallim krenari në klub dhe në regjionin tonë”, thotë menaxheri i marketingut në klubin Bryne, Bjorn Hagerup Roeken.

“Organizata e tifozëve tanë gjithmonë ka festuar rrënjët tona bujqësore në këngët e saj. Kështu që nderimi i trashëgimisë sonë ka rëndësi të madhe për ne”, ka vazhduar Roeken, shkruan “Reuters”.

Bileta VIP përfshinë qasje në një divan të ngritur nga traktorë dhe depo që përdoreshin për të ruajtur ushqimin dimëror për bagëtinë. Ato janë rindërtuar dhe janë përshtatur për kamerat e sistemit VAR.

Njëra anë e stadiumit është shesh i madh dhe i hapur, ku tifozët mund të hyjnë me traktorët e tyre për të parë ndeshjen.

Derisa në shumicën e ligave lojtari më i mirë i ndeshjes merr një trofe të vogël, portieri holandez Jan De Boer mori katër komplete vezë pas ndeshjes së parë të Brynes në shtëpi.

Bryne dha vezë edhe për kundërshtarin, Kristiansund BK, në ndeshjen e parë të edicionit në udhëtim, fundjavën e kaluar.

De Boer përdori shpërblimin për të gatuar omëletë holandeze për bashkëlojtarët në ekipin norvegjez. Dhe, duke iu përmbajtur sistemit të vjetër të shkëmbimit, vezët e mbetura ia dha një bashkëlojtari që ia kishte huazuar veturën për të marrë të dashurën në aeroport.