Futboll

Vetëm barazim për kuqezinjtë, gara mbetet e hapur

Shqiperia - Ardian Ismajli

Foto: Associated Press

Sylvinho: Gjithçka e hapur

5 muaj më parë / 16 nën 2024 23:27
Sylvinho

Photo: Associated Press

Përzgjedhësi i Shqipërisë, Sylvinho, ka refuzuar të bëjë parashikim se në cilën pozitë të Grupit B1 në Ligën e Kombeve do të përfundojnë kuqezinjtë.

Tek ka mbetur edhe një xhiro deri në mbyllje, grupi është zor i parashikueshëm. Çekia ka tetë pikë në vend të parë. Gjeorgjia e Shqipëria pasojnë me nga shtatë pikë e Ukraina është e fundit me pesë. Në javën tjetër luajnë Shqipëria me Ukrainën dhe Çekia me Gjeorgjinë.

Të shtunën, Shqipëria barazoi pa gola me Çekinë. Sylvinho e vlerësoi të vështirë përballjen me çekët, ndërsa refuzoi të japë prognoza për përfundimin e gurpit.

“E kemi thënë që është grup shumë i vështirë. E kemi parë. Çdo gjë e hapur për të ndodhur në këtë grup. Secili mund të përfundojë i pari e secili i fundit”, ka thënë ai në deklaratën pas ndeshjes.

Vetëm barazim për kuqezinjtë, gara mbetet e hapur

5 muaj më parë / 16 nën 2024 22:38
Shqiperia - Bajrami

Photo: Associated Press

Shqipëria dhe Çekia e kanë marrë vetëm nga një pikë nga ndeshja e pestë e Grupit B1 të Ligës së Kombeve. 

Pas barazimit pa gola të shtunën mbrëma në “Air Albania” në Tiranë, tani Shqipëria avancimin në Ligën A do ta kërkojë nëpërmjet ndeshjes së fundit në grup. 

Pas tri ditësh, Shqipëria luan kundër Ukrainës, sërish në stadiumin “Air Albania”. 

Çekia mbetet e para në grup me tetë pikë, një më shumë se Gjeorgjia dhe Shqipëria. 

Ukraina e fundit është me pesë pikë. 

Çekia e mbyll këtë edicion të Ligës së Kombeve me ndeshjen në shtëpi ndaj Gjeorgjisë. 

Mbrojtësi i krahut të majtë, Mario Mitaj, sërish ishte prej më të mirëve në fushë te Shqipëria. 

Ai pas ndeshjes theksoi se Shqipëria u paraqit mirë, ndërsa për ndeshjen me Ukrainën ka kërkuar që rastet që u vijnë për të realizuar, duhet t’i konkretizojnë në gol. 

“Nuk besoj se ishte ndeshje e keqe. Ne luajtëm mirë. Por duhet ta kemi më shumë topin në zotërim. Rastet që i kemi duhet t’i shfrytëzojmë më mirë”, ka thënë Mitaj. 

Në pjesën e parë të ndeshjes, Shqipëria pati fat pasi kundërshtarët dy herë e qëlluan transversalen, në minutën e 12-të e të 13-të. 

Nga minuta e 30-të, “kuqezinjtë” mbetën pa Jasir Asanin, i cili pësoi lëndim dhe u zëvendësua. 

Pjesa e dytë ishte më e qetë sa u përket rasteve për shënim dhe ndeshja u mbyll pa gola. 

Mesfushor i Interit, Kristjan Asllani, e vlerësoi jashtëzakonisht shumë kundërshtarin për mënyrën se si luajti. 

Ai tha se ka hasur në vështirësi për të gjetur hapësira, pasi lojtarët e Çekisë aplikuan presing të lartë. 

“Në ndeshjen e kaluar kur luajta në Çeki, gjithmonë e kisha një lojtar afër. Edhe sot u përballa me të njëjtën gjë. Nuk kisha hapësira dhe besoj se kisha pak topa në pjesën e parë. Në pjesën e dytë, çekët u lodhën pak dhe ne e organizuam lojën më mirë. Megjithatë, jemi të gëzuar për pikën e fituar”, ka thënë fillimisht Asllani, para se të fliste për duelin e radhës pas tri ditësh ndaj ukrainasve. 

“Do të luajmë ndaj Ukrainës për ta fituar ndeshjen. Ne e dimë se kemi kualitet. Çekia është skuadër shumë fizike. Ne e morëm një pikë ndërsa tani mendojmë për ndeshjen tjetër”, ka thënë Asllani. 

Indrit Tuci e zhvilloi ndeshjen e tretë me fanellën e Shqipërisë. Debutoi me kuqezinjtë në Çeki në humbjen 2:0 në muajin shtator. Titullar ishte edhe ndaj Gjeorgjisë në fitoren 1:0 muajin e kaluar. 

“Ishte lojë e vështirë sepse ashtu luajnë çekët, një për një. Unë luaj në kampionatin çek dhe është e vështirë të gjesh hapësira. Doja ta ndihmoja ekipin sa më shumë dhe pastaj humb edhe energjia kur kthehesh prapa. Doja ta jepja më të mirën për ekipin. Trajneri ma ka dhënë besimin në ndeshjet e fundit dhe shpresoj që t’ia kem shpaguar”, është shprehur ai. 

Grupi i Shqipërisë vlerësohet shumë i vështirë, pasi të gjitha katër përfaqësueset ishin pjesëmarrëse në “Euro 2024” në Gjermani. 

Për Shqipërinë, Evropiani në këtë verë ishte i dyti, pas atij në Francë në vitin 2016. 

Shqipëria ishte në grupin e vështirë me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë. Spanja e fitoi gjithë turneun në fund. 

Shqipëria këndellet në fund të pjesës së parë

5 muaj më parë / 16 nën 2024 21:34
Shqiperia - Nadim Bajrami

Photo: Associated Press

Tek në minutat e fundit të pjesës së parë, kombëtarja shqiptare e futbollit ka marrë iniciativën përballë Çekisë.

Qazim Laçi pati rastin më të mirë për gol për kuqezinjtë. Ai gjuajti me kokë në minutën e 45-të, por topi u ndal nga Matej Kovar.

Në statistika të përgjithshme dominuan çekët.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat 0:0.

Lëndohet Jasir Asani

5 muaj më parë / 16 nën 2024 21:20
Asani - ISmajli

Photo: Associated Press

Ylli i Shqipërisë, Jasir Asani, është lënduar në përballjen me Çekinë.

Selektori Sylvinho vendosi që ta zëvendësojë me Taulant Seferi.

Ndodhi kjo në minutën e 30-të.

 

Shqipëria me fat, Çekia qëllon dy herë shtyllën

5 muaj më parë / 16 nën 2024 21:04
Cekia

Shqipëria ka pasur fat në minutat e para të ndeshjes me Çekinë.

Për dy minuta çekët kanë goditur dy herë shtyllën.

Fillimisht Vaclav Jemelka pas goditjes me kokë e pastaj Lukas Cerv me një goditje nga distanca.

Rezultati mbetet 0 me 0 pas 17 minutash lojë.

Shqipëria publikon formacionin, starton Tuci

5 muaj më parë / 16 nën 2024 19:32
Sylvinho

Selektori i Përfaqësueses së Shqipërisë, Sylvinho, ka publikuar formacionin startues për ndeshjen ndaj Çekisë.

Ndeshja Shqipëri – Çeki fillon nga ora 20:45 dhe i takon Grupit 1 të Ligës B të Ligës së Kombeve.

Në portë është Thomas Strakosha. 

Në mbrojtje janë Ardijan Ismajli, Arlind Ajeti, Mario Mitaj dhe Ivan Balliu. 

Mesfusha përbëhet me Ylber Ramadanin, Kristjan Asllanin dhe Qazim Laçin. 

Sulmit i prijnë Indrit Tuci, Nedim Bajrami dhe Jasir Asani.