Shqipëria dhe Çekia e kanë marrë vetëm nga një pikë nga ndeshja e pestë e Grupit B1 të Ligës së Kombeve.
Pas barazimit pa gola të shtunën mbrëma në “Air Albania” në Tiranë, tani Shqipëria avancimin në Ligën A do ta kërkojë nëpërmjet ndeshjes së fundit në grup.
Pas tri ditësh, Shqipëria luan kundër Ukrainës, sërish në stadiumin “Air Albania”.
Çekia mbetet e para në grup me tetë pikë, një më shumë se Gjeorgjia dhe Shqipëria.
Ukraina e fundit është me pesë pikë.
Çekia e mbyll këtë edicion të Ligës së Kombeve me ndeshjen në shtëpi ndaj Gjeorgjisë.
Mbrojtësi i krahut të majtë, Mario Mitaj, sërish ishte prej më të mirëve në fushë te Shqipëria.
Ai pas ndeshjes theksoi se Shqipëria u paraqit mirë, ndërsa për ndeshjen me Ukrainën ka kërkuar që rastet që u vijnë për të realizuar, duhet t’i konkretizojnë në gol.
“Nuk besoj se ishte ndeshje e keqe. Ne luajtëm mirë. Por duhet ta kemi më shumë topin në zotërim. Rastet që i kemi duhet t’i shfrytëzojmë më mirë”, ka thënë Mitaj.
Në pjesën e parë të ndeshjes, Shqipëria pati fat pasi kundërshtarët dy herë e qëlluan transversalen, në minutën e 12-të e të 13-të.
Nga minuta e 30-të, “kuqezinjtë” mbetën pa Jasir Asanin, i cili pësoi lëndim dhe u zëvendësua.
Pjesa e dytë ishte më e qetë sa u përket rasteve për shënim dhe ndeshja u mbyll pa gola.
Mesfushor i Interit, Kristjan Asllani, e vlerësoi jashtëzakonisht shumë kundërshtarin për mënyrën se si luajti.
Ai tha se ka hasur në vështirësi për të gjetur hapësira, pasi lojtarët e Çekisë aplikuan presing të lartë.
“Në ndeshjen e kaluar kur luajta në Çeki, gjithmonë e kisha një lojtar afër. Edhe sot u përballa me të njëjtën gjë. Nuk kisha hapësira dhe besoj se kisha pak topa në pjesën e parë. Në pjesën e dytë, çekët u lodhën pak dhe ne e organizuam lojën më mirë. Megjithatë, jemi të gëzuar për pikën e fituar”, ka thënë fillimisht Asllani, para se të fliste për duelin e radhës pas tri ditësh ndaj ukrainasve.
“Do të luajmë ndaj Ukrainës për ta fituar ndeshjen. Ne e dimë se kemi kualitet. Çekia është skuadër shumë fizike. Ne e morëm një pikë ndërsa tani mendojmë për ndeshjen tjetër”, ka thënë Asllani.
Indrit Tuci e zhvilloi ndeshjen e tretë me fanellën e Shqipërisë. Debutoi me kuqezinjtë në Çeki në humbjen 2:0 në muajin shtator. Titullar ishte edhe ndaj Gjeorgjisë në fitoren 1:0 muajin e kaluar.
“Ishte lojë e vështirë sepse ashtu luajnë çekët, një për një. Unë luaj në kampionatin çek dhe është e vështirë të gjesh hapësira. Doja ta ndihmoja ekipin sa më shumë dhe pastaj humb edhe energjia kur kthehesh prapa. Doja ta jepja më të mirën për ekipin. Trajneri ma ka dhënë besimin në ndeshjet e fundit dhe shpresoj që t’ia kem shpaguar”, është shprehur ai.
Grupi i Shqipërisë vlerësohet shumë i vështirë, pasi të gjitha katër përfaqësueset ishin pjesëmarrëse në “Euro 2024” në Gjermani.
Për Shqipërinë, Evropiani në këtë verë ishte i dyti, pas atij në Francë në vitin 2016.
Shqipëria ishte në grupin e vështirë me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë. Spanja e fitoi gjithë turneun në fund.
