Futboll

Vëllai i Arbër Zenelit thotë se do ta zgjidhte Suedinë para Kosovës

Arbër & Besfort Zeneli

Arbër & Besfort Zeneli

Vëllai i Arbër Zenelit, Besforti, ka thënë se do ta zgjidhte Suedinë para Kosovës në rast se i vjen ftesa nga të dyja përfaqësueset.

Besforti 21-vjeçar luan si mesfushor tek Elfsborgu në Suedi. Në të njëjtën skuadër luan edhe Arbëri (29 vjeç), i cili para tetë vjetësh, edhe pse një nga lojtarët kryesor të Suedisë U21, pati vendosur të luajë për Kosovën.

“Suedia do të jetë gjithmonë pranë meje. Sigurisht, nëse më jepet rasti dhe më thërrasin, do ta zgjedh gjithmonë Suedinë. Nëse Federata më do, do të doja shumë të luaja për Suedinë. E kam Kosovën dhe i ndiej edhe ata. Nëse asgjë nuk ndodh me Suedinë, mund të vazhdoj të luaj për Kosovën. Do të ndihesha mirë”, ka thënë Besforti për “Aftonbladet.se”.

Tutje, Besfort Zeneli ka thënë se mami, babi dhe vëllai (Arbëri) e mbështesin në zgjedhjet e tij.

“Ata më mbështesin në atë që mendoj se është e drejtë për mua. Se unë duhet ta zgjedh atë që e ndiej në zemër”, ka shtuar ai.

Besfort Zeneli këtë sezon bashkë vëllain është prej lojtarëve kryesorë të Elfsborgut – që renditet në vendin e shtatë me 25 pikë, katër më pak se vendi i tretë që të dërgon në Evropë.