Futboll

Vedat Muriqi i gatshëm për lojë

Vedat Muriqi

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, do të paraqitet nga minuta e parë në ndeshjen që Mallorca e luan të shtunën ndaj Villarrealit në La Liga. Mediumet në Spanjë kanë raportuar se Muriqi nuk ka pasur asnjë shqetësim në stërvitjen e parë pas kthimit nga ndeshjet me Kosovën. 

Muriqi në ndeshjen e parë kundër Rumanisë u zëvendësua për shkak të një lëndimi. Edhe në konferencën për media para ndeshjes kundër Qipros u tha se Muriqi stërviti i ndarë nga grupi për shkak të një lëndimi. 

Megjithatë, Muriqi e nisi nga fillimi edhe ndeshjen kundër Qipros. Shënoi dy gola në fitoren 4:0 të Kosovës. 

“Në seancën e mëngjesit ai është parë duke stërvitur me dy lojtarët tjerë të Mallorcas, Robert Navarron dhe Mascarellin. Por lajmi i mrekullueshëm është se nuk vuan nga lëndimi muskulor. Të gjitha alarmet u ndezën kur sulmuesi u kthye i lënduar nga një ndeshje me përfaqësuesen e tij. Por tani gjithçka është qetë. Kështu tregojnë nga kampi i Mallorcas”, shkruan “Marca” të mërkurën. 

30-vjeçari është sulmuesi kryesor i skuadrës spanjolle. 

Ai për Mallorcan ka shënuar një gol dhe ka asistuar një herë në katër ndeshjet e edicionit aktual në La Liga. 

Golin e shënoi në barazimin 1:1 kundër Real Madridit.