Futboll

Vazhdon gara në Superligë, derbi në Prishtinë

Superliga

Pas pushimit dyjavor për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve, Superliga e Kosovës në futboll vazhdon me xhiron e 14-të që ofron  ballafaqime shumë të forta. 

Xhiroja do të hapet të shtunën me dy ndeshje, ato mes Malishevës e Dukagjinit dhe Feronikelit 74 e Gjilanit. 

Por vëmendja do të jetë të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nga ora 17:00. Ndeshjet e tjera nisin nga ora 13:00. 

Prishtina do të jetë nikoqire e Ballkanit, kampionit në fuqi të Kosovës, në ndeshjen kryesore të xhiros. 

Prishtina ka tri ndeshje pa pësuar disfatë, një fitore e dy barazime, ndërsa formë dukshëm më të mirë në xhirot e fundit kanë suharekasit. 

Ballkani në shtatë ndeshjet e fundit ka katër fitore e tri barazime. 

Rezultatet pozitive kanë bërë që Ballkani të jetë lart në tabelë, me 25 pikë në vendin e dytë, tri më pak se Drita që është lidere. 

Prishtina ndërkohë është e katërta, me katër pikë më pak se Ballkani e shtatë pikë prapa Dritës. 

Të dielën zhvillohet edhe ndeshja tjetër mes Suharekës dhe Ferizajt. 

Drita në mesjavë e fitoi ndeshjen e mbetur ndaj Suharekës dhe tani është lidere e re e Superligës. Drita të mërkurën fitoi ndaj suharekasve me rezultatin 4:2. Ishte ndeshje e mbetur e xhiros së tretë të elitës së futbollit kosovar. 

Ndeshja Drita – Llapi e mbyll xhiron e 14-të të Superligës. Lideren të hënën e pret ndeshje e vështirë ndaj Llapit. 

Llapi është në krizë të rezultateve dhe nuk ka fituar në elitë që prej 27 shtatorit, kur e kishte mposhtur 3:0 Suharekën në stadiumin “Zahir Pajaziti”. 

Për shkak të formës jo të mirë ekipi i drejtuar nga trajneri Tahir Batatina, zë vendin e shtatë me 16 pikë. Por, është skuadra e vetme që e ka mposhtur Dritën në edicionin aktual. 

Llapi e kishte mposhtur Dritën në xhiron e dytë, me rezultatin 1:0. 

Prej atij ballafaqimi, trajneri Zekirija Ramadani me Dritën ka arritur shtatë fitore e katër barazime.

Superliga – 14

E shtunë 

Malisheva – Dukagjini (13:00)

Feronikeli 74 – Gjilani (13:00)

E diel 

Prishtina – Ballkani (17:00) 

Suhareka – Ferizaj (13:00)

E hënë

Drita – Llapi (13:00)