Futboll

Varane pensionohet nga futbolli

Raphael Varane

Raphael Varane të mërkurën ka njoftuar se ka vendosur të pensionohet nga futbolli në moshën 31-vjeçare.

Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, mbrojtësi francez ka thënë se nuk është pishman për asgjë sa i përket futbollit.

Varane ka gëzuar karrierë të suksesshme si futbollist. Karrierën e ka nisur te Lensi. Me Real Madridin ka fituar katër Liga të Kampionëve, katër Kupa të Botës për Klube, tri herë La Ligan, tri herë Superkupën e Evropës, një herë Kupën e Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës. Me Manchester Unitedin fitoi Kupën FA dhe Kupën EFL.

Varane me Francën triumfoi në Kupën e Botës dhe Ligën e Kombeve.

Së fundmi ishte pjesë e Comos në Serie A. Por pësoi lëndim që në ndeshjen e parë të sezonit në Kupën e Italisë, çka e ka detyruar edhe të marrë vendimin për pensionim. Ai ka njoftuar se do të ketë rol të ri në skuadrën italiane që do të bëhet i ditur në vijim.