Raphael Varane thotë se “ka dëmtuar trupin e tij”, për shkak të ndikimit të vazhdueshëm të goditjes së topit me kokë.
Mbrojtësi francez tani është te Manchester Unitedi. Ai ka treguar se në Kupën e Botës në Francë në vitin 2014 kishte luajtur edhe pasi kishte pësuar tronditje.
Varane ka bërë thirrje për mbrojtje më të madhe dhe ndërgjegjësim më të mirë për rrezikun e goditjes së topit me kokë.
“Djali im shtatëvjeçar luan futboll dhe unë e këshilloj që të mos e godas topin me kokë. Për mua kjo është thelbësore”, ka thënë Varane për L’Equipe.
“Edhe nëse nuk shkakton ndonjë traumë të menjëhershme, ne e dimë se në afat më të gjatë, goditja e përsëritur e topit me kokë mund të ketë efekt të dëmshëm. Personalisht nuk e di nëse do të jetoj deri në moshën 100-vjeçare, por e di që kam dëmtuar trupin tim. Rreziqet e goditjeve me kokë duhet të mësohen në të gjitha fushat e futbollit amator dhe te të rinjtë”.
Varane përmendi humbjen 1:0 të Francës në çerekfinale ndaj Gjermanisë në Kupën e Botës 2014 dhe një ndeshjen në Ligën e Kampionëve me Real Madridin kundër Manchester Cityt në vitin 2020, si shembuj se luajti pavarësisht se ishte i tronditur.
Qendërmbrojtësi thotë se e vuri veten në rrezik duke luajtur kundër Gjermanisë në vitin 2014, pasi u godit në kokë në ndeshje ndaj Nigerisë disa ditë më herët.
“Stafi pyeti nëse isha i aftë të luaj ndaj Gjermanisë. Isha i dobësuar, por luajta dhe atë shumë mirë. Ajo që nuk do ta dimë kurrë është se çfarë do të kishte ndodhur sikur ta merrja një tjetër goditje në kokë. Si futbollistë të mësuar të luajmë në nivelin më të lartë, ne përballemi me dhimbjen. Jemi pak si ushtarë, djem të fortë, simbol të forcës fizike. Por këto (tronditjet) janë simptoma pak të dukshme”.
Udhëzimet e reja të publikuara në korrik të vitit 2021 thanë se futbollistët profesionistë në Angli duhet të kufizohen në 10 goditje të fuqishme të topit me kokë në stërvitje gjatë një jave. Zëvendësimet e menjëhershme për tronditje u prezantuan në Premier League në vitin 2021.
Muajin e kaluar një grup prej 17 ish-futbollistësh dhe familjarë filluan veprimet ligjore ndaj organeve drejtuese të lojës. Ata pretenduan neglizhencë dhe shkelje të detyrës së kujdesit ndaj ish-futbollistëve.
Grupi pretendon se Federata angleze që në vitin 1983 ishte plotësisht e vetëdijshme për rreziqet e tronditjes në futboll dhe dështoi të ndërmerrte veprime për të ulur rrezikun për lojtarët në nivelin më të ulët të arsyeshëm.