Futboll

Unitedi shënon fitoren e dytë në Premier League

Manchester United

Skuadra e Manchester Unitedit e ka shënuar fitoren e dytë këtë edicion në Premier League. Të shtunën, Unitedi e mposhti si mysafir Southamptonin me rezultatin 3:0.

Unitedi dy golat e parë i shënoi në pjesën e parë. Mbrojtësi, Matthijs de Ligt, realizoi për 1:0 në minutën e 35-të. Për holandezin ishte goli i parë i shënuar në fanellën e klubit anglez. Gjashtë minuta më pas, Marcus Rashford me asistimin e Amad Diallos realizoi për 2:0. Për 3:0, shënoi Alejandro Garnacho në fund të ndeshjes.

Sulmuesi i Southamptonit, Cameron Archer, në minutën e 33-të, dështoi që të realizonte nga pika e bardhë. Goditjen e tij e priti portieri, Andre Onana. Ndërsa nga minuta e 79-të, Southamptoni ishte me një futbollist më pak në fushë, pasi mbrojtësi, Jack Stephens, u ndëshkua me karton të kuq. 

Unitedi renditet në pozitën e tetë në tabelë me gjashtë pikë të fituara. 

Southamptoni është në pozitën e parafundit pa pikë.