Futboll

Unitedi dëshpëron sërish në “Teatrin e Ëndrrave”

Wolves

Skuadra që po ka shumë telashe në edicionin aktual në Premier League, Manchester United, pësoi tjetër disfatë të dielën në “Teatrin e Ëndrrave” nga Wolverhamptoni.

Wolvesi në ndeshjen e xhiros së 33-të fitoi me rezultatin 1:0.

Ishte sulmuesi Pablo Sarabia që në minutën e 77-të, realizoi me gjuajtje të përkryer nga goditja e dënimit.

Për Wolverhamptonin ishte fitorja e pestë rresht në elitën e futbollit anglez. Një gjë të tillë nuk e kishte arritur prej vitit 1970.

Wolverhamptoni me fitoren e arritur të dielën ka larguar çdo frikë për largim nga elita, pasi me 38 pikë tani ka 17 pikë më shumë se vendi i 18-të, Ipswichi. Deri në fund të kampanjës në Premier League kanë mbetur edhe pesë xhiro për t’u luajtur.

Paraqitja e Unitedit sërish është kritikuar shumë, sidomos pas fitores dramatike të arritur në Ligën e Evropës ndaj Lyonit, kur “djajtë e kuq” siguruan gjysmëfinalen.

Unitedi ka humbur 15 ndeshje në edicionin aktual dhe është edicioni me më së shumti humbje prej atij 1989-90, kur ishin mposhtur në 16 raste.

Kjo skuadër ka marrë vetëm nëntë pikë nga dhjetë ndeshjet e fundit në Premier League.