Futboll

UEFA zgjodhi arbitrat për Evropian, në mesin e tyre edhe dy të kritikuar së fundi

Stuart Attwell

Arbitri i kritikuar së fundi nga Nottingham Foresti mori mbështetje të martën nga UEFA duke u përzgjedhur për Kampionatin Evropian si gjyqtar i VAR-it.

Foresti bëri një postim të dielën në rrjetet sociale duke atakuar Stuart Attwellin. Sipas Nottingham Forestit, Attwell është tifoz i Lutonit, që po ashtu po lufton për mbetje në Premier League dhe për këtë nuk dha deri në tri penallti pas rishikimit të situatës në VAR. Nottinghami pësoi 2:0 nga Evertoni.

Attwelli është në mesin e 20 arbitrave të VAR-it për Euro 2024. Në Gjermani do të zhvillohen plot 51 ndeshje.

“Të gjithë arbitrat e përzgjedhur kanë shfaqur vazhdimisht standard të lartë në garat kryesore të UEFA-s si dhe në garat e tyre vendore”, ka thënë kreu i arbitrave të UEFA-s, Roberto Rosetti, në një komunikatë.

Në listën e gjyqtarëve të VAR-it është edhe Tomasz Kwiatkowski i Polonisë, të cilin UEFA e largoi nga një ndeshje e Ligës së Kampionëve në nëntor, një ditë pasi ai këshilloi arbitrin e finales së Kupës së Botës 2022, Szymon Marciniak, që t’i japë PSG-së një penallti në kohën shtesë për lojë me dorë në ndeshjen ndaj Newcastlet.

Kylian Mbappe shënoi nga pika e bardhë për të mohuar fitoren e Newcastlet. Ndeshja kishte përfunduar 1:1.

Marciniak është në mesin e 18 arbitrave të përzgjedhur nga UEFA për Euro 2024. Arbitrat e përzgjedhur do të jenë me ekipet e tyre. Është përzgjedhur edhe argjentinasi Facundo Tello, si pjesë e bashkëpunimit të fuqishëm të UEFA-s me Federatën e Futbollit të Amerikës së Jugut, CONMEBOL.

Anglia ka dy arbitra të përzgjedhur. Njëri prej tyre është Anthony Taylor, i cili punoi me Attwellin në ndeshjen Everton – Forest, të dielën.

Njëri prej dy gjermanëve të përzgjedhur, Felix Zwayer, ishte subjekt i komenteve rreth integritetit. Jude Belligham kishte bërë komentet në kohën kur luante për Borussia Dortmundin, në vitin 2021.

Arbitrat e përzgjedhur

Artur Soares Dias (Portugali)

Jesus Gil Manzano (Spanjë)

Marco Guida (Itali)

Istvan Kovacs (Rumani)

Ivan Kruzliak (Sllovaki)

François Letexier (Francë)

Danny Makkelie (Holandë)

Szymon Marciniak (Poloni)

Halil Umut Meler (Turqi)

Glenn Nyberg (Suedi)

Michael Oliver (Angli)

Daniele Orsato (Itali)

Sandro Schaerer (Zvicër)

Daniel Siebert (Gjermani)

Anthony Taylor (Angli)

Clement Turpin (Francë)

Slavko Vinçiq (Slloveni)

Felix Zwayer (Gjermani)