Futboll

UEFA s’e mbron flamurin e Kosovës në Serbi

Flamuri i KOsoves - UEFA

Foto: Associated Press

Serbia nuk ka lejuar që Kosova të paraqitet me simbole shtetërore në Kongresin e UEFA-s, që të enjten u mbajt në Beograd. Para nisjes së punimeve ka hequr flamurin shtetëror. Kjo është konfirmuar nga fotografitë e agjencive të huaja që mbuluan ngjarjen e po ashtu edhe nga transmetimi i UEFA-s. Por, në reagimin e saj Federata e Futbollit e Kosovës ka këmbëngulur se është paraqitur me simbolet e shtetit

Federata e Futbollit e Kosovës nuk është paraqitur e barabartë me shtetet e tjera anëtare të UEFA-s në Kongresin e 49-të, që të enjten u mbajt në Beograd.

Kosova mori pjesë pa simbole shtetërore.

Në fakt, flamuri i Kosovës u hoq nga vendi ku ishin ulur kryetari i FFK-së, Agim Ademi, dhe sekretari i përgjithshëm, Markus Weidner, para se të niste Kongresi i UEFA-s. Mbeti vetëm logoja e Federatës.

Kjo është konfirmuar nga fotografitë e agjencive të huaja që mbuluan ngjarjen e po ashtu edhe nga transmetimi i UEFA-s. Por, në reagimin e saj, Federata e Futbollit e Kosovës ka këmbëngulur se është paraqitur me simbole shtetërore

Në reagim të enjten Federata e Serbisë e ka akuzuar Ademin se u përpoq ta shfrytëzonte ngjarjen për interesa jofutbollistike.

“Në Beograd sot po mbahet Kongresi i 49-të i UEFA-s, një nga ngjarjet më të mëdha në vendin tonë. Organizator i Kongresit është UEFA, ndërsa Federata e Futbollit të Serbisë është mikpritëse e figurave më të rëndësishme të futbollit në Evropë dhe në botë. Një hije u hodh mbi organizimin e jashtëzakonshëm, të cilën një pjesëmarrës i Kongresit u përpoq ta shfrytëzonte për interesa jofutbollistike. Ne reaguam së bashku, shpejt dhe me vendosmëri, dhe me përgjegjësi të plotë, informojmë opinionin se në Kongresin e UEFA-s sot në Beograd nuk ka asnjë simbol dhe as flamur që përfaqëson të ashtuquajturën Kosovë”, thuhet në reagimin e Federatës së Futbollit të Serbisë.

Federata e Serbisë u kërkoi falje qytetarëve, “të cilët u lënduan nga lëshimi i organizatorit, e cila u korrigjua menjëherë”.

“I kërkojmë falje secilit prej qytetarëve tanë dhe çdo pjesëtari të kombit tonë, veçanërisht popullit tonë në Kosovë dhe Metohi, të cilët u shqetësuan dhe u lënduan nga lëshimi i organizatorit, e cila u korrigjua menjëherë me përgjigjen tonë”, shkruan në reagim.

Po ashtu gjatë ditës është shpërndarë edhe një video ku pretendohet se huliganët serbë kanë djegur flamurin që më parë ishte i vendosur në ambientet ku u mbajt Kongresi, e pranë të cilit u fotografua kryetari i FFK-së, Ademi.

Në Serbi ende ka njerëz të futbollit që kanë vështirësi të pranojnë realitetin, përkatësisht faktin se Kosova është anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s dhe se tashmë paraqitet në të gjitha garat e mundshme ndërkombëtare. Pranimin e Federatës së Futbollit në UEFA dhe FIFA në vitin 2016 e kishte kundërshtuar ashpër Federata e Futbollit e Serbisë. Federata serbe dhe klubet e saj për thirrjet anti-Kosovë dhe incidente të tjera ka marrë mbi 2 milionë euro gjoba nga UEFA.

Në fakt, thirrjet e tifozëve serbë, mesazhet politike kundër Kosovës, janë të pranishme thuajse në çdo ndeshje të Serbisë apo klube serbe. Jo vetëm në futboll tifozët serbë bëjnë thirrje “Kosova është Serbi”, shfaqin flamurin e Serbisë mbi hartën e Kosovës dhe mbishkrimin “S’ka dorëzim”. Thirrjet anti-Kosovë janë të pranishme edhe në ndeshje të basketbollit dhe sporteve të tjera.

FFK: Kosova mori pjesë në Kongresin e UEFA-s në Beograd me simbolet shtetërore

Federata e Futbollit të Kosovës ka mohuar se është paraqitur pa simbole, ndonëse në transmetimin e Kongresit në faqen e UEFA-s shihej se flamujt e 54 shteteve anëtare të UEFA-s ishin të vendosur para delegacioneve, mirëpo jo edhe në vendin ku ishin të ulur presidenti Ademi dhe sekretari Weidner.

Në shkrimin sqarues të FFK-së shkruan se Kosova u prezantua me simbolet e saj shtetërore, ndërsa deklarimin e Federatës së Futbollit të Serbisë e ka cilësuar të pabazë.

“E kuptojmë se prania e delegacionit të Kosovës në kryeqytetin serb, si dhe fakti që flamuri i shtetit tonë valëviti përkrah atyre të shteteve të tjera, vazhdon të jetë i papranueshëm për politikën dhe një pjesë të opinionit në Serbi. Megjithatë, shteti i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm dhe sa më shpejt që ta pranojnë këtë, aq më shpejt do të kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve sportive dhe shtetërore”, shkruan FFK-ja të enjten.

Në reagimin e saj Federata e Futbollit e Kosovës ka këmbëngulur se është paraqitur me simbole shtetërore.

“Sa u përket pretendimeve për largimin e flamurit shtetëror të Kosovës gjatë punimeve të Kongresit, theksojmë se Kosova ishte e përfaqësuar zyrtarisht me simbolet e saj shtetërore, njësoj si çdo anëtare tjetër e UEFA-s. Çdo veprim i mundshëm në përfundim të mbledhjes, kur presidenti i FFK-së nuk ishte më në sallë, nuk e ndryshon faktin se Kosova ishte dhe mbetet pjesë e barabartë e këtij organizimi, ashtu siç është në familjen e futbollit evropian dhe botëror”, shkruan FFK.

FFK ka falënderuar në fund të shkrimit UEFA-n për “trajtimin e mirë dhe mbështetjen e vazhdueshme për zhvillimin e futbollit në Kosovë”.

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka theksuar se futbolli bashkon popujt.

“Futbolli evropian duhet të vazhdojë të qëndrojë si një model për unitetin në këtë botë gjithnjë e më të ndarë. Ne bashkohemi dhe frymëzojmë. Është misioni ynë, të cilit ne jemi plotësisht i jemi përkushtuar”, ka thënë Çeferin në fjalimin e tij.

Në Kongres ka folur edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Ai ka thënë se përpiqen që futbollin ta përdorin “për të bashkuar njerëzit dhe vendet”. “Ky sport është një urë që përshkon të gjitha kulturat dhe kombet e botës, bazuar në besimin dhe pasionin reciprok”, ka thënë Infantino.

Ministri Çeku thotë se edhe UEFA ka përgjegjësi për largimin e flamurit të Kosovës

Për ngjarjen ka reaguar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës. Ministri Hajrulla Çeku e ka quajtur të papranueshëm atë që ndodhi në Beograd.

Ai ka thënë se për incidentin përgjegjës janë Federata e Futbollit e Serbisë dhe UEFA.

“Fillimisht çfarëdo largimi i flamurit të Kosovës është veprim i dënueshëm. Është totalisht i papranueshëm për ne si shtet, si institucione. Ky veprim është edhe kundër vetë rregullave të UEFA-s, sepse Federata jonë e futbollit është anëtare me të drejta të plota në UEFA. Për këtë arsye ne presim edhe sqarime nga vetë UEFA. Ndërkohë, ne jemi të vetëdijshëm që Federata mikpritëse në këtë rast ka qenë ajo e Serbisë, sepse ngjarja është organizuar në Serbi. Por, gjithsesi është ngjarje e UEFA-s, ka qenë Kongresi i UEFA-s. Prandaj, këtu përgjegjësia është e përbashkët”, ka thënë ministri Çeku.

Ai ka shtuar se gjuha e përdorur nga Federata e Futbollit e Serbisë konfirmon qasjen armiqësore ndaj Kosovës.

“Natyrisht ne e kemi parë publikisht pozicionin e Federatës së Serbisë. E kemi lexuar edhe deklaratën e tyre. E këtu nuk ka asgjë të re. Me gjuhën që e kanë përdorur, Federata e Serbisë vetëm e ka rikonfirmuar që shteti serb vazhdon të ketë qasje të njëjtë armiqësore ndaj Kosovës, e në këtë rast, për më keq, duke mos e kursyer as sportin në realizimin e politikës së saj shoviniste ndaj shtetit tonë. Pra, në këtë moment është shumë e rëndësishme që të presim edhe sqarimin zyrtar nga UEFA, sepse kjo ka qenë ngjarje e tyre dhe të kuptojmë saktë se çfarë ka ndodhur. Dhe pas asaj, të dimë se kush duhet të japë përgjegjësi për këtë veprim totalisht të papranueshëm dhe të dënueshëm që ka ndodhur në Kongresin e UEFA-s”, ka theksuar ministri Çeku.

KOHA i ka nisur pyetje UEFA-s për këtë incident, por gjatë ditës së enjte nuk ka marrë përgjigje. E Federata e Shqipërisë, presidenti i së cilës, Armand Duka, është edhe nënkryetar i UEFA-s, nuk ka njoftuar për këtë incident.

Federata Shqiptare e Futbollit (FSFH) ka shkruar për Kongresin, por nuk ka përmendur heqjen e flamurit të Kosovës nga salla ku u mbajt Kongresi i UEFA-s.