Lojtarët që debatojnë me gjyqtarët dhe bëjnë presion ndaj tyre, do të ndëshkohen në Kampionatin Evropian të futbollit që mbahet në verë në Gjermani. Kështu ka insistuar Roberto Rosetti, i pari i arbitrave evropianë të futbollit. Ish-arbitri i njohur italian ka folur para trajnerëve të 24 përfaqësueseve evropiane që do të jenë në “Gjermania 2024”. Rosetti ka kërkuar nga selektorët që të sigurojnë që lojtarët të tregojnë respekt ndaj gjyqtarëve.
“Sjellja e papranueshme e lojtarëve është problem për zyrtarët e ndeshjeve. Lojtarët ju ndjekin dhe nëse ju jeni të qetë edhe ata janë më të qetë”, ka thënë Rosetti para trajnerëve.
Sipas tij, UEFA dëshiron të shmang kartonët e panevojshëm dhe të ruaj imazhin e lojës. Dhe nuk do të lejojë kundërshtimet e mëdha të lojtarëve ndaj vendimeve të arbitrave.
UEFA ka njoftuar se së shpejti do të marr vendim nëse përfaqësueset në Euro 2024 do të jenë me nga 23 apo 26 lojtarë. Skuadrat u zgjeruan në 26 lojtarë në Evropianin e kaluar për shkak të pandemisë. Numri i zakonshëm është 23.
Disa selektorë insistojnë që numri të mbetet 23, ndërsa ka të tillë që kërkojnë 26. Ata që kundërshtojnë numrin prej 26 lojtarëve i druhen prishjes së atmosferës nga numri më i madh i lojtarëve që nuk do ta kenë rastin për të luajtur.
Nuk ka pajtim mes selektorëve për këtë pikë.