Futboll

UEFA do ta shqyrtojë mundësinë e zgjerimit të listës së lojtarëve për “Euro 2024”

Ronald Koeman - Julian Nagelsmann

Foto: Associated Press

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) do t’i marrë seriozisht kërkesat e përzgjedhësve të përfaqësuesve pjesëmarrëse në Evropianin që këtë vit mbahet në Gjermani. Gjasat janë të mëdha që UEFA t’ua aprovojë kërkesën trajnerëve të kenë në skuadër 26 lojtarë, jo 23 lojtarë sa është caktuar më herët. 

Për shkak të pandemisë Covid-19, UEFA kishte lejuar rritje të listës prej 26 lojtarëve në “Euro 2020”, që ishte shtyrë për në vitin 2021. I njëjti numër i lojtarëve ishte lejuar edhe për në Kupën e Botës 2022. 
UEFA vendosi vitin e kaluar që për “Euro 2024” të jenë 23 lojtarë nëpër përfaqësuese. Pjesë e Evropianit është edhe Shqipëria e drejtuar nga Sylvinho. 

Shtëpia evropiane e futbollit do t’i mirëpresë trajnerët dhe zyrtarët e 24 skuadrave pjesëmarrëse brenda dy javësh në Duesseldorf të Gjermanisë. 

“Një mbledhje me ekipet pjesëmarrëse do të mbahet më 8 prill dhe aty UEFA do t’i dëgjojë edhe kërkesat e trajnerëve”, ka thënë UEFA. “Çdo ide e dhënë do të shqyrtohet dhe vlerësohet”. 
Përzgjedhësi i Anglisë, Gareth Southgate, ka thënë se “është folur shumë pak nga trajnerët” në kërkesën për 26 lojtarë.

Southgate ka thënë se nuk planifikon që të rrisë presionin në UEFA, edhe pse numri më i madh i lojtarëve do ta zvogëlonte rrezikun e selektimit të lojtarëve të preferuar që kanë lëndime. 

“Kemi qenë në gjendje t’iu japim njerëzve kohë”, ka thënë Southgate, i cili do ta drejtonte Anglinë në turneun e katërt madhor si trajner, “por me 23 lojtarë, pa dyshim se është shumë e vështirë”. 

Ende nuk është e qartë se sa trajnerë nga 24 gjithsej dëshirojnë skuadër me numër më të madh të lojtarëve, shumë prej të cilëve nuk do të kishin minuta në fushën e lojës. 

“Euro 2024” nis më 14 qershor dhe mbaron më 14 korrik dhe do të organizohet në 10 qytete gjermane.