Futboll

U lëndua në debutim, Sanches jashtë fushës për shumë muaj

Alvyn Sanches

Mesfushori Alvyn Sanches u lëndua në debutim te Përfaqësuesja e Zvicrës.

Sanches e pësoi lëndimin të premten mbrëma në ndeshjen miqësore të zhvilluar ndërmjet Zvicrës dhe Irlandës së Veriut, që përfundoi 1:1.

“Blick” ka raportuar të dielën se Sanches ka lëndim në gjurin e këmbës së djathtë, përkatësisht të ligamenteve.

Lëndimin e Sanchesit e ka konfirmuar edhe klubi i tij, Lausanne-Sport.

“Sanches do të jetë jashtë fushës për disa muaj. Stafi mjekësor tani do të bëjë gjithçka që është e mundur për të siguruar që lojtari të mund të kthehet në fushë sa më shpejt të jetë e mundur. I gjithë klubi i qëndron pranë dhe i ofron mbështetjen e plotë”, shkruan në njoftimin e Lausannes.

22-vjeçari Sanches këtë edicion ka kontribuar me 15 gola dhe katër asistime.

Zvicra të martën nga ora 20:45 do të luajë edhe një ndeshje tjetër miqësore, ndaj Luksemburgut.