(19:20) - Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, nuk ka arritur edhe për herë të tretë ta sigurojë kalimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Suharekasit u eliminuan në raundin e parë kualifikues të Championsit nga skuadra e Andorrës, UE Santa Coloma. Ballkani humbi 6:5 pas ekzekutimit të penalltive.
Nga pika e bardhë dështuan dy lojtarët e Ballkanit, Lindon Emërllahu dhe Astrit Thaqi. Emërllahu e qëlloi shtyllën, ndërsa gjuajta e Thaqit u prit nga portieri i Santa Colomas.
UE Santa Coloma e fitoi 2:1 ndeshjen që nuk përfundoi pas 120 minutash dhe u zhvillua të martën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Me rezultat të njëjtë, 2:1, Ballkani kishte fituar javën e kaluar në Andorrë kundër skuadrës që kishte humbur 16 ndeshjet e saj të mëparshme në kupat evropiane.
Por me penallti UE Santa Coloma fitoi ndaj Ballkanit dhe kështu siguroi kalimin në raundin e dytë kualifikues të Championsit. Kundërshtar të radhës do ta ketë Midtjyllandin e Danimarkës.
Ballkani ishte eliminuar edhe në dy edicionet e kaluara në raundin e parë kualifikues të Championsit. Por më pas rrugëtimin në Evropë e vazhdoi me shumë sukses, duke u paraqitur dy herë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, garës së tretë të UEFA-s për nga rëndësia.
Rrugëtimin sërish do ta vazhdojë në Ligën e Konferencës. Në rundin e dytë do të luajë kundër Hamrunit të Maltës, që u eliminua nga Lincolni i Gjibraltarit.
Kampioni i Kosovës e nisi furishëm ndeshjen e së martës pasdite. Rreshtoi rastet, por pa arritur të shënojë gol ndaj skuadrës nga Andorra, e cila po ashtu kishte momentet e saj gjatë pjesës së parë. Shtatë minuta para fundit të pjesë së parë, Ballkani mbeti me një lojtar më pak në fushë.
Sulmuesi Sunday Damilare Adetunji në minutë e 38 u ndëshkua direkt me karton të kuq. Ai fillimisht mori karton të verdhë për një ndërhyrje në sulm, por pas rishikimit të situatës me VAR, gjyqtari kryesor anuloi kartonin e verdhë dhe e ndëshkoi direkt me karton të kuq Adetunjin.
Ballkani nuk arriti ta mbajë deri në fund portën e paprekur. Andres Mohedano shënoi për Santa Coloman për 1:0 dhe për ta dërguar ndeshjen në vazhdime. Lojtarët e ekipit amator të Andorrës shënuan një tjetër gol në pjesën e parë të vazhdimeve. De Jesus në minutën e 102-të shënoi për 2:0. Por nuk vonoi shumë dhe sulmuesi i Ballkanit Walid Hamidi shënoi për 2:1, në minutën e 109. Me rezultatin 2:1 përfunduan 120 minutat, ndërsa fituesi u përcaktua pas ekzekutimit të penalltive. Nga pika e bardhë të saktë ishin Krenar Dulaj, Walid Hamidi, Engjell Ajazaj, Arbër Potoku dhe Eris Abedini.
Penalltitë vendosin fatin e Ballkanit
(19:06) - Ballkani dhe Santa Coloma do ta kërkojnë kualifikimin përmes penalltive. Ndeshja në Podujevë përfundoi 2:1 në favor të skuadrës nga Andorra. Me rezultat të njëjtë triumfoi edhe Ballkani në ndeshjen e javës së kaluar.
Zgjohet Ballkani, shënon dhe baraspeshon gjithçka
Sulmuesi Walid Hamidi realizoi në minutën e 109-të.
E pabesueshme, Ballkani pëson golin e dytë
(18:48) - Ka përfunduar pjesa e parë e vazhdimeve në mes të Ballkanit dhe Santa Colomas. Skuadra nga Andorra është në epërsi prej 2:0 në Podujevë.
Rezultati i përgjithshëm është 3:2 në favor të Santa Colomas.
E pabesueshme, Ballkani pëson golin e dytë
(18:42) - Santa Coloma ka shënuar një tjetër gol në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Santa Coloma është në epërsi ndaj Ballkanit me rezultatin e përgjithshëm 3:2.
De Jesus shënoi golin për 3:2 në minutën e 102-të. Ky gol eliminon suharekasit.
Santa Coloma befason Ballkanin në fund
(18:23) - Ballkani ka pësuar gol në minutën e 92-të. Walid Hamidi shënoi autogol pas harkimit nga korneri.
Ndeshja ka shkuar në vazhdime. Rezultati nga të dyja ndeshjet është i barabartë 2:2.
Ballkani po krijon raste, por ende nuk ka shënuar gol
(17:56) - Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani ka pasur disa momente të mira për gol në ndeshjen kundër Santa Colomas së Andorrës, ani pse po luan me një lojtar më pak. Por futbollistët e klubit nga Suhareka ende nuk kanë shënuar gol në ndeshjen kthyese të fazës së parë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve.
Aktualisht po luhet minuta e 65-të në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Ballkani e fitoi ndeshjen e parë në udhëtim ndaj skuadrës nga Andorra me rezultatin 2:1.
Ballkani e mbyll pjesën e parë pa gol dhe me një lojtar më pak në fushë
(17:20) - Ka përfunduar pa gola pjesa e parë e ndeshjes kthyese të fazës së parë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve në mes të Ballkanit dhe Santa Colomas. Kjo ndeshje po zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Ballkani pati më shumë raste shënimi, ndërsa e mbylli pjesën e parë pa gola dhe me një lojtarë më pak në fushë.
Sulmuesi Sunday Adetunji u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 38-të. Fillimisht ai u ndëshkua me karton të verdhë, por pas rishikimit në VAR, gjyqtari ndërroi vendimin dhe e ndëshkoi sulmuesin nigerian direkt me karton të kuq. Ballkani e fitoi ndeshjen e parë në udhëtim ndaj skuadrës nga Andorra.
Vështirësohen punët për Ballkanin, mbetet me një lojtar më pak
(17:10) - Ballkani ka mbetur me një lojtar më pak në fushë. Sulmuesi Sunday Damilare Adetunji është përjashtuar me karton të kuq.
Ai fillimisht mori karton të verdhë për një ndërhyrje në sulm, por pas rishikimit të situatës me VAR, gjyqtari kryesor anuloi kartonin e verdhë dhe e ndëshkoi direkt me karton të kuq Adetunjin. Ai u përjashtua në minutën e 38-të.
Ballkani duhet ta mbrojë epërsinë 2:1 nga ndeshja e parë në Andorrë.
Ballkani e nis furishëm ndaj Santa Colomas
(16:44) - Ballkani e ka nisur furishëm ndeshjen kthyese të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve kundër Santa Colomas.
Ballkani krijoi dy raste serioze në dhjetë minutat e parë të ndeshjes që po luhet në Podujevë. Ballkani fitoi ndeshjen e parë 2:1 në udhëtim ndaj ekipit të Andorrës.