Futboll

Tucheli fajëson një lojtar për të dy golat e Realit

Thomas Tuchel

Trajneri i Bayernit, Thomas Tuchel, ka fajësuar publikisht mbrojtësin Kim Min-jae për të dy golat e pësuar nga Real Madridi.

Jugkoreani Kim ishte i pozicionuar keq në rastin e golit të parë. Vinicius Junior i iku atij pas pasimit mjeshtëror të Toni Kroosit. Ndërkohë Kim e bëri penalltinë të cilën Vinicius e shndërroi në gol për 2:2.

Madrilenët kishin fare pak raste, por u larguan të pamposhtur nga Munihu në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Championsit.

“Ai bëri lëvizjen e parë shumë herët ndaj Viniciusit te goli i parë dhe u kap nga pasimi i Toni Kroosit. Ai spekuloi dhe ishte shumë agresiv. Në golin e dytë, fatkeqësisht ishte një gabim tjetër”, ka thënë Tuchel.

Ndërkohë kapiteni Manuel Neuer i doli në mbrojtje Kimit. Kim fitoi rastin vetëm pasi Matthijs de Ligt u lëndua në Bundesligë në fundjavë.

Te Bayerni besojnë fuqishëm se mund të kualifikohen në finale.

“Çdo gjë është ende e hapur. Pozita startuese është e qartë: 90 minuta, 120 minuta, penallti. Fitore në Madrid dhe në finale. Kush e di çka do të ndodhë. Është ende 50-50”, ka thënë Tuchel.