Karrierë të suksesshme vlerësohet se ka bërë Vedat Muriqi deri tani në futboll. Por pa trofe. Dhe të shtunën mbrëma lideri i përfaqësueses së Kosovës ka rast të artë. Mund të bëhet me trofeun e parë serioz në karrierë dhe atë shumë të madh.
29-vjeçari do ta udhëheqë sulmin e Mallorcas në finale të Kupës së Mbretit.
Prizrenasi Muriqi ka luajtur në Kosovë, Shqipëri, Turqi e Itali por deri më tani nuk e ka pasur mundësinë të fitojë trofe serioz.
Një të tillë mund ta fitojë me Mallorcan të shtunën prej orës 22:00, në finalen ndaj Athletic Bilbaos. Finalja e Kupës së Spanjës zhvillohet në stadiumin “La Cartuja” në Sevilla.
Në një intervistë të gjatë dhënë për mediumin “Cadena SER”, Muriqi ka thënë se ai dhe bashkëlojtarët do të punojnë vetëm në aspektin mendor, sepse në atë fizik qëndrojnë shumë mirë.
“Nuk mendoj se kemi nevojë për punë në aspektin fizik. Mendërisht, po bëjmë punë të madhe. Këto janë ndeshje të rëndësishme dhe duhet të përgatitesh me atë që mund të ndodhë. Të gjithë lojtarët ëndërrojnë të fitojnë finale. Fizikisht nuk po bëjmë diçka speciale, por po përgatitemi më ndryshe në aspektin mendor. E kam përjetuar dhe e di si duhet përballuar këtë. Unë do ta përjetoj si ditë normale. Të gjithë duhet ta përgatisin veten, kjo nuk varet nga trajneri”, ka thënë Muriqi.
Mallorca ka pasur disa momente dramatike përgjatë rrugës deri në finale.
Fitoi ndaj Tenerifes me gol në minutën e 120 të shtesës. Më pas e eliminoi Gironan 3:2.
Por ishin penalltitë në fitoren ndaj Real Sociedadit që do të mbesin gjatë në memorien e Muriqit.
“Nuk do ta harroj atë ndeshje për gjithë jetën time. Kur shkuam në penallti, trajneri na përgatiti neve që duhej të gjuanim. Ai nisi t’i thoshte emrat. Pasi i thirri, na tha që t’i gëzohemi secilit emër që ai e përmend dhe të festojmë. Më qetësoi dhe e ngrita kokën t’i shoh lojtarët e Real Soceidadit. Ata po na shikonin neve dhe mendonin se për çfarë po festonim? Ne pas atij momenti ishim fitues. Nuk do ta harroj atë moment asnjëherë. Ishim shumë të qetë”, ka deklaruar Muriqi, i cili ka theksuar se është kënaqësi të punosh me trajnerin Javier Aguirre.
“Shumë herë ne qeshim me të sepse i tillë është ai. Por kur shkojmë në stërvitje, ndryshon edhe fytyra e tij. Ai është shumë serioz në stërvitje. E di si duhet të flasë me gjyqtarë, si të na motivojë neve dhe si të na demonstrojë stërvitjet. Jemi me fat që kemi trajner të tillë”, ka vazhduar tutje Muriqi.
Sulmuesi i Kosovës megjithatë e di se Athletic Bilbao është favorit për ta fituar finalen për shkak se ka më shumë eksperiencë.
Kupën e Mbretit, Athletic Bilbao e ka fituar 23 herë, por për herë të fundit para 40 vjetësh.
Ndërkohë, Mallorca e ka vetëm një trofe të Kupës së Mbretit, atë të vitit 2002/03.
Muriqi i ka përgëzuar vëllezërit Inaki dhe Nico Williams, që janë te Bilbao.
“Ata janë aeroplanë! Kam shoqëri interesante me Inakin. Flas me të gjatë ndeshjeve dhe kemi ndërruar edhe fanellat dy apo tri herë. Nëse nuk di se si t’i ndalësh vëllezërit dhe nuk u jep vëmendje, ata të vrasin. Por unë kam besim te mbrojtësit dhe bashkëlojtarët e mi, janë si mure”, thotë Muriqi.
Muriqi është pyetur nëse ka interesim për t’u larguar nga Mallorca në drejtim të Premier Leagues. Ka mohuar spekulimet dhe ka shtuar se është i lumtur te Mallorca.
Muriqi ka shënuar pesë gola dhe ka kontribuuar me dy asistime në edicionin aktual me Mallorcan. Të gjitha i ka në La Liga. Por, synon që goli i parë në Kupën e Mbretit në këtë edicion t’ia sigurojë skuadrës së tij trofeun madhor.