Andriy Lunin për kohë të gjatë ka qenë i huazuar nëpër skuadra të ndryshme. Tani portieri i Realit, po e jeton ëndrrën e tij. E nisi edicionin aktual si portier i tretë, kurse tani po vendos rekorde.
Ai u vlerësua “hero” i Real Madridit në kualifikimin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pas penalltive të pritura në ndeshjen kthyese të çerekfinales ndaj Manchester Cityt të mërkurën mbrëma.
Duhet pranuar se penalltia e dytë e Manchester Cityt nuk ishte e vështirë të pritej. Portugezi i Cityt, Bernardo Silva, gjuajti lehtësisht në mesin e portës. Portieri i Realit e lexoi tentimin e tij dhe nuk lëvizi fare. Pa shumë telashe e priti gjuajtjen e Silvas. Më pas, portieri ukrainas bëri lëvizjen e duhur dhe për mrekulli priti tentimin e Mateo Kovaçiqit.
Në vitin 2018, Lunin e la Ukrainën për t’u transferuar te Real Madridi në Spanjë – si portier i tretë dhe pa ndonjë shpresë për vendin e titullarit. Pavarësisht se u transferua për 10 milionë euro, në më pak se dy muaj pas arritjes së tij në kryeqytetin spanjoll, ai u huazua te klubi i kategorisë së dytë të futbollit spanjoll, Leganes, e më pas te Valladolidi një vit më vonë dhe më pas te Oviedo.
Pasi u rikthye te Reali, ishte portier i dytë, pasi titullar i pazëvendësueshëm ishte Thibaut Courtois. Pak pasi nisi edicioni aktual, belgu u lëndua dhe Lunini shpresonte për shansin e ri. Por transferimi i Kepa Arrizabalagas në verën e vitit të kaluar, u vu në portë para tij. Lunini, i cili u rrit në lindje të Ukrainës, priti me durim edhe një herë tjetër – dhe e shfrytëzoi rastin kur spanjolli mungoi për dy ndeshje për shkak të një lëndimi. Pas rikthimit, kishte disa herë lëvizje në portë mes tyre, derisa trajneri Carlo Ancelotti vendosi që Lunini të ishte numri një i portës në fillim të vitit.
Që nga ajo kohë, Lunini ka shkëlqyer duke e mbajtur portën e paprekur në dhjetë raste, nga 19 paraqitjet e edicionit aktual në La Liga. Sa i përket numrit të paraqitjeve, është më i miri në ligë. Në 1/8 e finales kundër Leipzigut bëri nëntë pritje – që është rekord për një portier me fanellë të Realit. Me këtë paraqitje, ai hyri në top-pesëshe për më së shumti pritje. Ishte i pari në këtë statistikë, me 31 pritje në 6 ndeshje.
Në çerekfinalen kthyese të Championsit kundër Cityt, Lunini bëri 8 pritje dhe priti edhe penallti. Në këtë mënyrë iu kundërpërgjigj kritikave nga ndeshja e parë.
“Lojtari i ndeshjes është ekipi. Ne lojtarët gjithmonë flasim me njëri-tjetrin dhe të gjithë, bashkë me stafin e portierëve, më kanë ndihmuar shumë. U mbrojtëm mirë dhe gjithçka funksionoi”, ka thënë Lunin pas ndeshjes. Por kishte skena televizive para ekzekutimit të penalltive ku shfaqej Lunini dhe zëvendësuesi Kepa që diskutonin për ekzekutuesit potencialë të penalltive. Të dy vendosën për Bernardo Silvan.
“Duhej të rrezikonim me një futbollist. E zgjodhëm Bernardo Silvan. Për fat, funksionoi”, ka thënë heroi i penalltive pas ndeshjes, i cili do të qëndrojë portier i parë deri në fund të edicionit aktual. Më pas, ai duhet të luftojë për vendin e titullarit me Thibaut Courtoisin, që deri atëherë pritet të rikthehet nga lëndimi i rëndë.