Futboll

Transferimi i Asllanit tek Union Berlini, është i komplikuar

Fisnik Asllani

Union Berlini dëshiron ta transferojë Fisnik Asllanin nga Hoffenhemi. Por ekipi i Kategorisë së Dytë, Elversbergu, nuk mendon lirimin e tij gjatë afatit kalimtar dimëror

Nuk është më sekret që Union Berlini është në kërkim të një sulmuesi të ri gjatë këtij afati kalimtar. Sepse dobësitë në sulm janë të dukshme. Me vetëm 16 gola të realizuar, Union Berlini ka sulmin më të dobët në Bundesligë pas St. Paulit të promovuar që ka shënuar 14 gola.

Dhe, drejtori sportiv Horst Heldt dhe departamenti i tij janë duke u përpjekur të gjejnë një golashënues të ri.

Union Berlini interesohet për Asllanin

Ndër të tjera, Union Berlini po tregon interesim edhe për Mërgim Berishën, i cili në edicionin aktual ka luajtur vetëm 540 minuta në të gjitha garat për Hoffenhemin.

Megjithatë, edhe klubet e tjera të Bundesligës duan ta transferojnë sulmuesin. Sipas informacioneve të “Kicker”, gjasat më të mëdha për të fituar garën i ka Augsburgu, ish-skuadra e Berishës.

Sigurisht, Union Berlini ka edhe lojtarë të tjerë në listën e dëshirave. Por në krye të listës mbetet Fisnik Asllani, i cili ka kontratë me Hoffenhemin, por i huazuar te skuadra e Bundesligës 2, Elversberg. Dhe ai po paraqitet me sukses. 22-vjeçari ka shënuar dhjetë gola në 18 ndeshje dhe po ashtu ka kontribuar edhe me pesë asistime. Për sulmuesin e Kosovës do të ishte kthim në shtëpi. Asllani u lind në Berlin, ndërsa luajti për grupmoshat e Union Berlinit.

Elversbergu nuk heq dorë nga golashënuesi i tij

Por për shkak se Asllani është i huazuar tek Elversbergu deri në fund të sezonit, një transferim i mundshëm është i komplikuar. Sepse, skuadra e Kategorisë së Dytë “nuk ka interes të heqë dorë nga lojtari gjatë këtij dimri”, tha drejtori sportiv Nils-Ole Book në një intervistë për “Kicker”.

Golashënuesi i Elversbergut është po ashtu shënjestër e Kolnit, ndër të tjera. Siç mëson “Kicker”, Hoffenhemi nuk ka një opsion për të rikthyer Asllanin gjatë janarit.

Kjo do të thotë se Hoffenheimi do të duhet t’i paguajë Elversbergut kompensim nëse e ndërpret kontratën e huazimit, në mënyrë që Asllani të kthehet në klubin ku nisi karrierën si futbollist. Që do të thotë automatikisht se Union Berlini do të duhet të gërmojë më thellë në xhepat e tyre sesa është çmimi për ta rikthyer ish-lojtarin e tyre.