Në këtë hapësirë mund të përcillni spekulimet e raportimet më të fundit lidhur me transferimet e futbollistëve në tregun ndërkombëtar për të premten.
Manchester Unitedi shpreh interesim për Ezri Konsan
Skuadra e Manchester Unitedit është duke menduar që ta forcojë repartin defanziv për edicionin e ardhshëm në Premier League.
Së fundmi, skuadra angleze ka shprehur interesim për mbrojtësin e Aston Villas, Ezri Konsa, ka shkruar BBC të premten.
Trajneri Erik ten Hag dëshiron që anglezin Konsa ta ketë në verë në skuadrën e tij.
26-vjeçari është pjesë e Aston Villas, ku u transferua nga Brentfordi në vitin 2019 për 13 milionë euro.
Konsa këtë edicion për Aston Villan ka shënuar një gol dhe ka bërë një asistim.
Fede Valverde në radarin e Liverpoolit
Skuadra e Liverpoolit po e shqyrton mundësinë e transferimit të mesfushorit të Real Madridit, Fede Valverde, raportojnë të premten mediumet angleze.
Liverpooli është i gatshëm që të ofrojë deri në 150 milionë euro për uruguaianin.
Valverde me Realin ka kontratë edhe pesë vjet.
Interesim për futbollistin që vlerësohet mbi 100 milionë euro, kanë shprehur edhe disa skuadra të njohura evropiane.
Me fanellën e “Los Blancos”, 25-vjeçari Valverde ka shënuar një gol dhe ka bërë tetë asistime në të gjitha garat këtë edicion.
Portugezi Ruben Amorim në listën e ngushtë të Liverpoolit
Trajneri portugez, Ruben Amorim është në listën e ngushtë të kandidatëve për ta zëvendësuar Jurgen Kloopin te Liverpooli.
Kështu kanë raportuar të premten mediumet në Angli.
Interesim për portugezin kanë shprehur edhe Barcelona e Tottenhami.
39-vjeçari është duke e udhëhequr me sukses skuadrën e Sportingut të Lisbonës në këtë edicion.
Skuadra e Sportingut është në krye të tabelës në ligën portugeze me 68 pikë të grumbulluara.
Amorim, karrierë si trajner ka bërë edhe te disa skuadra tjera si Al-Wakrah, Benfica, Braga, Belensense dhe Pontinha.
Arsenali kërkon Mikayil Fayen
Arsenali ka shprehur interesim për të siguruar shërbimet e mbrojtësit të Barcelonës, Mikayil Faye, është bërë e ditur të premten.
Për senegalezin Faye kanë shprehur interesim edhe skuadra të njohura evropiane si Manchester Unitedi e Chelsea.
Faye ka luajtur 25 herë këtë edicion për skuadrën rezervë të Barcelonës, duke shënuar katër gola. Ende nuk e ka bërë debutimin me skuadrën e parë të Barcelonës.
19-vjeçari së fundmi ka bërë debutimin ndërkombëtar me përfaqësuesen e Senegalit.
Shurandy Sambo pritet t’i bashkohet Burnleyt
Skuadra e Burnleyt ka rënë dakord për transferimin e mbrojtësit holandez, Shurandy Sambo. Ai do të lëviz si lojtar i lirë në verë nga PSV-ja, njofton eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano.
Sambo pritet të nënshkruaj kontratë katërvjeçare me skuadrën angleze.
25-vjeçari deri më tani këtë edicion ka zhvilluar 14 ndeshje në të gjitha garat me skuadrën e njohur nga Holanda.
Shurandy Sambo me Holandën ka luajtur për grupmoshat U15, U16, U17 dhe U21.