Spekulimet e ditës

Transferimet: PSG-ja e do Osimhenin

Transferimet

Në këtë hapësirë mund të përcillni spekulimet e raportimet më të fundit lidhur me transferimet e futbollistëve në tregun ndërkombëtar për të premten.


Paris Saint-Germani dëshiron Osimhenin

Skuadra e Paris Saint-Germanit është e interesuar për transferimin e sulmuesit Victor Osimhen në verën e këtij viti, ka shkruar BBC të shtunën.

Sulmuesi nigerian te Parisi shihet si zëvendësues ideal i Mbappes, pasi francezi pritet të largohet në fund të edicionit.

Paris Saint-Germaini është i gatshëm që t’i ofrojë Napolit 111 milionë euro për Osimhenin.

Në garë për shërbimet e 25-vjeçarit janë edhe disa skuadra të njohura evropiane si Manchester United dhe Chelsea.

Victor Osimhen te Napoli u transferua nga Lille në vitin 2020 për 75 milionë euro.

Osimhen në këtë edicion për Napolin në të gjitha garat ka shënuar 13 gola dhe ka bërë katër asistime. Ndërsa me skuadrën italiane ka kontratë edhe dy vite.


Dovbyk në radarin e Chelseat

Skuadra e Chelseat po e shqyrton mundësinë e transferimit të sulmuesit Artem Dovbyk në verën e këtij viti, raportojnë të shtunën mediume të ndryshme në Angli.

Trajneri Mauricio Pochettino dëshiron që ta forcojë skuadrën e tij sa më shumë, kurse Dovbyk shihet si transferim i qëlluar për edicionin e ardhshëm.

Sulmuesi ukrainas është pjesë e skuadrës së Gironas. Ai u transferua nga SK Dnipro në vitin 2023, për shtatë milionë euro.

26-vjeçari është duke kaluar edicion fantastik me skuadrën spanjolle.

Deri tani në të gjitha garat ka shënuar 17 gola dhe ka bërë shtatë asistime.

Interesim për futbollistin që vlerësohet mbi 30 milionë euro, kanë shprehur edhe disa skuadra të njohura evropiane.

Me Gironën, ai ka kontratë edhe katër vjet.


Chelsea nuk e mendon shitjen e Jamesit

Skuadra e Chelseat nuk është duke e menduar largimin e kapitenit Recee James në afatin kalimtar veror.  Chelsea dëshiron që ta ketë anglezin në skuadër edhe për disa vite, pasi James cilësohet si një prej lojtarëve kryesor te skuadra londineze.

Për 24-vjeçarin kanë shprehur interesim disa skuadra të njohura evropiane si Real Madrid e Paris Saint-German. James me Chelsean ka kontratë edhe katër vjet. 24-vjeçari ka luajtur vetëm tetë ndeshje në Premier League këtë edicion.

Momentalisht është i lënduar dhe nuk është bërë e ditur data e kthimit të tij në fushë.

Për Përfaqësuesen e Anglisë, mbrojtësi i krahut të djathtë ka luajtur në 16 ndeshje.