Në këtë hapësirë mund të përcillni raportimet më të fundit lidhur me transferimet e futbollistëve në tregun ndërkombëtar për të enjten.
Aston Villa në garë për francezin Olise
Te skuadra e Aston Villas janë të bindur se do ta fitojnë garën për francezin Michael Olise, shkruan të enjten ” footballtransfers”.
Në garë për 22-vjeçarin janë edhe Arsenali dhe Manchester Unitedi. Por te Aston Villa besojnë se Olise do të ketë më shumë hapësirë për t’i treguar vlerat në fushë.
Mësohet se skuadra angleze do të ofrojë 60 milionë euro për Olisen, i cili po shihet si përforcim i rëndësishëm për sezonin e ardhshëm. Olise ka kontratë deri në vitin 2027 me Crystalin. 22-vjeçari ka shënuar nëntë gola dhe ka bërë katër asistime në të gjitha garat.
Ai është pjesë e Crystale Palacet prej vitit 2021 kur iu bashkua nga Readingu për nëntë milionë euro.
Chelsea nuk heq dorë nga Osimheni
Chelsea nuk ka hequr dorë nga transferimi i sulmuesit të Napolit, Victor Osimhen, raporton “90min”. Në Itali raportohet se Chelsea ia ka ofruar Napolit Romelu Lukakun si pjesë e marrëveshjes për blerjen e Osimhenit. Por Napoli kërkon 100 milionë euro për ta liruar sulmuesin nigerian. Lukaku po ashtu preferon të mbetet edhe më gjatë pjesë e Romës, ndërsa sheh si opsion edhe kalimin në ndonjë klub në Arabinë Saudite.
Për Osimhenin interesim ka shprehur edhe skuadra e Paris Saint-Germanit.
Osimhen te Napoli u transferua nga Lille në vitin 2020 për 75 milionë euro.
Osimhen në këtë edicion për Napolin në të gjitha garat ka shënuar 17 gola dhe ka bërë katër asistime. Me skuadrën italiane ka kontratë edhe dy vite.
Reus në bisedime me St. Louis Cityn
Marco Reus do të largohet nga Borussia Dortmundi gjatë muajit qershor, ndërsa mund t’i bashkohet St. Louis Cityt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu ka shkruar të enjten “The Athletic”.
Për mesfushorin gjerman po ashtu interesim kanë shprehur edhe skuadra turke dhe saudite. Por 34-vjeçari preferon të paraqitet në MLS nga edicioni i ardhshëm.
Gjermani për Dortmundin ka shënuar deri tash 169 gola dhe ka asistuar 130 herë në 426 ndeshje.
Ai për Përfaqësuesen e Gjermanisë ka shënuar 15 gola në 48 paraqitje. Reus me Dortmundin është në finale të Ligës së Kampionëve. Në finalen e Championsit
Dortmundi do të përballet kundër Real Madridit.
Ziyech pritet të mbetet pjesë e Galatasarayt
Marokeni Hakim Ziyech pritet të mbetet pjesë e skuadrës turke, Galatasaray, shkruan “BBC” të enjten. Ai ka lënë përshtypje të mira te skuadra elitare e Turqisë.
31-vjeçari në gusht të vitit të kaluar u huazua te Galata deri në fund të edicionit aktual nga Chelsea. Por drejtuesit e ekipit turk janë të gatshëm të paguajnë dëmshpërblimin për kartonin e sulmuesit të krahut.
Ai me Chelsean ka kontratë deri në qershor të vitit 2025. Në 21 ndeshje me fanellën e Galatës, Ziyech ka shënuar tetë gola dhe ka asistuar katër herë.
Për Marokun, Ziyech ka shënuar 22 gola në 60 ndeshje.