Në këtë hapësirë mund të përcillni spekulimet e raportimet më të fundit lidhur me transferimet e futbollistëve në tregun ndërkombëtar.
Guardiola kërkon Jarrad Branthwaiten te Manchester City

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka shprehur interesim për mbrojtësin e Evertonit, Jarrad Branthwaite, raporton Mundo Deportivo.
Guardiola dëshiron që anglezin ta ketë në skuadër për edicionin e ardhshëm në Premier League.
21-vjeçari është pjesë e Evertonit. Në këtë edicion është paraqitur në 31 ndeshje, ndërsa ka realizuar dy gola.
Për anglezin kanë shprehur interesim edhe disa skuadra të njohura si Manchester Unitedi, Tottenhami dhe Real Madridi.
Milani kërkon zëvendësuesin e Piolit

Trajnerit italian, Stefano Pioli, nuk i garantohet qëndrimi te Milani edhe për edicionin e ardhshëm, raportojnë mediat italiane.
Drejtuesit e klubit kuqezi janë duke shikuar për zëvendësuesin e Piolit, që do të niste punën pas përfundimit të edicionit aktual.
Sukseset e Milanit nën drejtimin e Piolit megjithatë nuk kanë munguar.
Nën drejtimin e tij Milani është kthyer në Ligën e Kampionëve dhe ka fituar titullin e kampionit të Italisë.
Tekniku 58-vjeçar është në krye të Milanit prej dhjetorit të vitit 2019 dhe ka kontratë deri në qershorin e vitit të ardhshëm.
Cancelo dëshiron të mbetet pjesë e Barcelonës

Mbrojtësi portugez, Cancelo, dëshiron të mbetet edhe më gjatë pjesë e Barcelonës. Siç bëhet e ditur në Spanjë, Cancelo u ka kërkuar drejtuesve të Barcelonës të nisin bisedimet për ta blerë kartonin e tij nga Manchester City.
Cancelo më herët ka thënë se dëshiron që huazimi i tij nga Manchester City te Barcelona të kthehet në transferim të plotë në verë.
Mbrojtësi i krahut nuk është pëlqyer shumë nga trajneri Pep Guardiola dhe City vendosi që ta huazonte atë.
Cancelo si i huazuar ishte edhe pjesë e Bayernit.
Chelsea kërkon 85 milionë euro për Palmerin

Chelsea kërkon 85 milionë euro për sulmuesin premtues të Anglisë, Cole Palmer. Kërkesat për ta blerë Palmerin janë rritur pas paraqitjeve të mira të tij këtë edicion.
Sipas raportimeve, Palmer ka kërkuar rritje të pagës ndonëse nuk e ka një vit të plotë prejse iu bashkua Chelseat nga Manchester City.
Anglezi 21-vjeçar me Chelsean ka kontratë deri në qershor të vitit 2030.
Në 37 ndeshje në të gjitha garat, Palmer ka shënuar 16 gola dhe ka kontribuar me 12 asistime.
Ai vlerësohet e ardhmja e Përfaqësueses së Anglisë. Me fanellën e Anglisë ka luajtur dy ndeshje.
Interi shpreh interesim për Gudmundssonin

Sulmuesi i Genoas, Albert Gudmundsson, mund të ndërrojë skuadrën gjatë verës, por jo edhe kampionatin.
Interesim për 26-vjeçarin islandez ka shprehur skuadra e Interit, shkruan “La Gazzetta dello Sport” të martën.
Vetë futbollisti më herët ka shprehur dëshirën për t’iu bashkuar Interit. Po ashtu interesim për sulmuesin ka shprehur edhe skuadra tjetër italiane Juventusi si dhe Tottenhami në Angli.
Gudmundsson me skuadrën elitare të Italisë ka kontratë deri në qershor të vitit 2027. Pjesë e Genoas është prej vitit 2022. Në Serie A ka shënuar dhjetë gola dhe ka asistuar tri herë. Dy gola i ka edhe për Kupë të Italisë.
Tottenhami ofron 50 milionë euro për Gallagherin

Tottenhami po përgatit një ofertë prej 50 milionë eurosh për mesfushorin anglez, Conor Gallagher, shkruan “Football Insider”.
24-vjeçari Gallagher me Chelsean ka kontratë deri në vitin 2025, ndërsa shumë skuadra janë në garë për të siguruar shërbimet e tij.
Megjithatë Chelsea ende nuk ka marrë vendim për të ardhmen e mesfushorit.
24-vjeçari për Chelsean në 36 ndeshje në të gjitha garat e këtij edicioni ka shënuar katër gola dhe ka asistuar gjashtë herë.
Bayerni në pritje të vendimit nga Davies

Bayern Muencheni ka kërkuar një vendim nga mbrojtësi i majtë Alphonso Davies, shkruan “Sky” të martën.
Klubi bavarez pret përgjigje nëse kanadezi do të pajtohet të nënshkruajë kontratë të re me kampionët e Gjermanisë.
Ka raportime se 23-vjeçari dëshiron të largohet nga Bayerni, ndërsa në garë janë Real Madridi dhe Milani.
Mbrojtësi kanadez iu bashkua Bayernit në vitin 2019, ndërsa ka kontratë deri në verën e vitit 2025.
Në 28 ndeshjet e edicionit aktual ka shënuar një gol dhe ka kontribuar me tri asistime. Davies për Përfaqësuesen e Kanadasë ka shënuar 15 gola në 44 ndeshje.
Liverpooli, City e Chelsea në garë për Guimaraesin

Liverpooli, Manchester City dhe Chelsea janë në garë për transferimin e mesfushorit Bruno Guimaraes, shkruajnë mediumet angleze të martën.
26-vjeçari i Newcastlet ka lënë përshtypje të mira në edicionin aktual në Premier League, duke shënuar tri gola në 27 paraqitje. Ai po ashtu ka kontribuar edhe me pesë asistime.
Me shitjen e 26-vjeçarit, Newcastle synon të blejë lojtarë të rinj gjatë afatit kalimtar të verës.
Reprezentuesi i Brazilit vlerësohet rreth 85 milionë euro në tregun e transferimeve.
Guimaraes iu bashkua Newcastlet në janar të vitit 2022 nga Lyoni, ndërsa ka kontratë deri në qershor të vitit 2028.
Ai ka shënuar një gol në 18 ndeshje për Përfaqësuesen e Brazilit.
Werner pritet të largohet përfundimisht nga Leipzigu

Përditësuar 15:30 - Timo Werner nuk pritet të kthehet më te skuadra e Leipzigut. Ai dëshiron të mbetet edhe më gjatë pjesë e Tottenhamit.
Werner u huazua te Tottenhami në janar të këtij viti, ndërsa me Leipzigun ka kontratë deri në verën e vitit 2026.
Sulmuesi gjerman në tetë ndeshje në Premier League për Tottenhamin ka shënuar dy gola dhe ka asistuar dy herë.
Më herët karrierë në Angli ka bërë edhe te skuadra e Chelseat.
28-vjeçari Werner në 57 ndeshje për Gjermaninë ka shënuar 24 gola.