Futboll

Transferimet: Gallagher e do qëndrimin te Chelsea

Conor Gallagher

Unitedi me ofertë për Yoron

Manchester Unitedi i ka bërë ofertë zyrtare skuadrës së Lillet për mbrojtësin e ri, Leny Yoro, shkruan të premten BBC.

Mësohet se Unitedi ka ofruar 60 milionë euro për transferimin e 18-vjeçarit. Për Yoron interesim ka shprehur edhe Real Madridi. Skuadra e Lillet po dëshiron që së paku t’i fitojë 80 milionë euro nga shitja e francezit.

Yoro vlerësohet ndër mbrojtësit më perspektivë në Francë dhe ka kontratë me Lillen deri në vitin 2025.

Ai në vitin 2022 është promovuar në ekipin e parë dhe në edicionin 2023/2024 ka kontribuar me tri gola në 44 paraqitje në të gjitha garat.


Gallagher dëshiron të qëndrojë te Chelsea

Mesfushori Conor Gallagher nuk dëshiron të largohet nga skuadra e Chelseat. Ai ka thënë se është i lumtur te skuadra nga Londra, me të cilën ka kontratë deri në vitin 2025.

Për 24-vjeçarin interesim të madh kanë shprehur skuadra e Tottenham Hotspurit dhe Aston Villas.

Reprezentuesi anglez me Chelsean ka shënuar shtatë gola dhe ka asistuar nëntë herë në 50 ndeshje në edicionin 2023/2024.

Ai është zhvilluar te Chelsea, ndërsa pjesë e ekipit të parë është prej vitit 2022.

Ka luajtur si i huazuar për Charlton Athletic, Swansea,, West Bromwich Albion e Crystal Palace. Për Anglinë nga viti 2021 ka luajtur 11 ndeshje.


Bayer Leverkuseni bën transferimin e parë

Mbrojtësi francez Jeanuel Belocian është përforcimi i parë i Bayer Leverkusenit këtë verë. Të premten skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso ka njoftuar se Belocian ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2029.

Belocian u shpreh i lumtur me nënshkrimin e kontratës.

"Sigurisht, ka pasur kontakte me Bayer Leverkusenin për një kohë të gjatë. Është thjesht e pabesueshme për mua të jem në gjendje të bashkohem me fituesit e dy trofeve gjermanë”, u shpreh mbrojtësi.

19-vjeçari te Leverkuseni u transferua nga skuadra franceze Stade Rennais për 15 milionë euro. Belocian si futbollist është zhvilluar te Rennesi.