Huazimi i Jadon Sanchos do t’i kushtojë Dortmundit edhe më shumë para në fund të edicionit, ka mësuar mediumi “Sky” i Gjermanisë.
Sancho dhe Dortmundi kanë arritur suksese si në aspektin individual, ashtu edhe në atë ekipor në edicionin aktual.
Anglezi u përjashtua nga trajneri Erik ten Hag te Manchester Unitedi.
Por ai në gjashtë muajt e fundit nën drejtimin e trajnerit Edin Terziq te Dortmundi, ka shfaqur paraqitje mbresëlënëse.
24-vjeçari është i huazuar nga “djajtë e kuq” deri në verë.
Fillimisht, huazimi i tij i kushtoi Dortmundit tre milionë euro e gjysmë.
Por “Sky” ka shkruar të shtunën se totali që Dortmundi duhet të paguajë është pesë milionë euro, për shkak të avancimit të Dortmundit në finale të Ligës së Kampionëve.
Dortmundi e Real Madridi luajnë në “Wembley” më 1 qershor, në finale të Championsit.
Sancho pati dy gola e tri asistime në 14 paraqitje në Bundesligë, ndërsa në Champions, ai ka realizuar një gol në gjashtë ndeshje.
PSG-ja me ofertë shumë të lartë për Kvaratskhelian
Paris Saint-Germaini ka ofruar 100 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e yllit të Napolit, Kvicha Kvaratskhelia, ka shkruar mediumi “Gazzetta dello Sport” të shtunën.
Kvaratskhelia po shihet si zëvendësues ideal për Kylian Mbappen, që me shumë gjasë në verë do t’i bashkohet Real Madridit.
Kvaratskhelia ka qenë në formë të shkëlqyer duke shënuar 11 gola e 9 asistime në 44 paraqitjet e edicionit aktual në të gjitha garat.
Mediumi italian ka shtuar se Kvaratskhelia mund të transferohet nga skuadra franceze që do të luajë në Champions në edicionin tjetër, ndryshe nga Napoli që nuk e ka të njëjtin sukses.