Në këtë hapësirë mund të përcillni spekulimet e raportimet më të fundit lidhur me transferimet e futbollistëve në tregun ndërkombëtar për të mërkurën.
Chelsea pret oferta për Brojën
Chelsea nuk pritet ta mbajë edhe më gjatë në skuadër sulmuesin e Shqipërisë, Armando Broja. Te klubi londinez presin oferta për sulmuesin e huazuar te skuadra e Fulhamit, shkruan të mërkurën “football.london”.
Siç raportohet në Angli, Broja është njëri prej 11 lojtarëve që Chelsea do t’i shesë në verë.
Broja 22-vjeçar u huazua te Fulhami nga skuadra e Chelseat në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit.
Me Chelsean, Broja ka kontratë deri në qershor të vitit 2028. Në edicionin aktual ka shënuar dy gola dhe ka bërë një asistim në 24 ndeshje në të gjitha garat në Angli.
Unitedi planifikon t’i shesë Varanen dhe Casemiron
Manchester United do t’i shesë gjatë verës mbrojtësin Raphael Varane dhe mesfushrorin Casemiro. Kështu ka raportuar të mërkurën “Talksport”.
Francezi 30-vjeçar dhe braziliani 32-vjeçar nuk bëjnë pjesë në planet e Erik Ten Hagenit për edicionin e ardhshëm.
Varane ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm, kurse Casemiro deri në vitin 2026. Ky i fundit ka luajtur 24 ndeshje, ndërsa ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar tri herë në të gjitha garat këtij edicioni.
Varane në 30 ndeshje ka shënuar një gol.
PSG-ja e Barcelona në garë për Diazin
Paris Saint-Germaini dhe Barcelona janë në garë për transferimin e Luiz Diazit të Liverpoolit, shkruan “Telegrahp” të mërkurën.
Kolumbiani 27-vjeçar me Liverpoolin ka kontratë deri në qershor të vitit 2027. Ekipit anglez iu bashkua në janar të vitit 2022 nga skuadra e Portos.
Diaz me fanellën e Liverpoolit ka shënuar 13 gola dhe ka asistuar katër herë në 42 ndeshjet e edicionit aktual.
Ai 11 gola i ka shënuar edhe për Kolumbinë në 47 ndeshje.
City konkurron me klubet saudite për Neton
Manchester City është i interesuar për 24-vjeçarin e Wolverhamptonit, Pedro Neto. Por City është duke u përballur me konkurrencë nga klube të Arabisë Saudite, shkruan “teamtalk” të mërkurën.
Për Neton interesim kanë shprehur edhe Tottenhami, Liverpooli, Newcastle dhe Arsenali.
Neto, 24-vjeçar, iu bashkua Wolvesit në vitin 2019 nga Lazio, ndërsa tani është bërë një nga lojtarët më të kërkuar në Angli. Vlera e tij në tregun e transferimeve është 42 milionë euro.
Sulmuesi i krahut me Wovesin ka kontratë deri në vitin 2027. Ai ka shënuar tri gola dhe ka asistuar 11 herë në 19 ndeshje në Premier League.