Futboll

Transferimet: Alisson mund të largohet, Reus në MLS

Alisson

Reus afër transferimit në ligën MLS

Mesfushori Marco Reus nga edicioni i ardhshëm pritet të luaj në elitën e futbollit amerikan.

Eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, të martën ka raportuar se skuadra e Los Angeles Galaxy është afër marrëveshjes me futbollistin gjerman.

Mësohet se kanë mbetur edhe disa detaje për tu kompletuar transferimi i Reusit te LA Galaxy.

Reus ka konfirmuar largimin nga Borussia Dortmundi pas 12 vitesh qëndrimi.

34-vjeçari me Dortmundin të shtunën pësoi disfatë me rezultatin 2:0, në finalen e Ligës së Kampionëve nga Real Madridi.

Reus ka fituar dy tituj me Dortmundin, kurse ka qenë kapiten i skuadrës nga viti 2018 deri në  vitin e kaluar.


Alisson kërkohet nga skuadra të Arabisë Saudite

Mediumi anglez “Teamtalk” ka shkruar të martën se portieri i Liverpoolit, Alisson Becker, është në listën e dëshirave të disa skuadrave të Arabisë Saudite.

Klube të elitës së futbollit arab, përveç Alissonit po i kërkojnë edhe disa yje të tjerë të Premier Leagues.

Mësohet se disa nga futbollistët e synuar janë Mohamed Salah i Liverpoolit dhe Bruno Fernandes e Casemiro të Manchester Unitedit.

Braziliani Becker është pjesë e Liverpoolit nga viti 2018. Ai u transferua nga skuadra italiane Roma për 62 milionë euro.


Arsenali pret oferta për Zinchenkon

Skuadra e Arsenalit do ta shqyrtojë secilën ofertë për mbrojtësin e krahut Oleksandr Zinchenko, ka shkruar të martën BBC.

Te skuadra angleze nuk dëshirojnë që t’i ofrojnë rinovimin e kontratës ukrainasit Zinchenko.

Raportohet se Bayern Muencheni së fundmi ka shprehur interesim për shërbimet e 27-vjeçarit. Zinchenko me Arsenalin ka kontratë deri në vitin 2026.

Skuadrës së drejtuar nga Mikel Arteta iu bashkua në verën e vitit 2022 nga Manchester City për 35 milionë euro.

Për Arsenalin në edicionin 2023/2024, Zinchenko ka shënuar një gol dhe ka kontribuar me dy asistime.


Roma e kërkon Hummelsin

Skuadra e Romës është duke e shqyrtuar mundësinë e transferimit të mbrojtësit të Borussia Dortmundit, Mats Hummels, ka raportuar mediumi gjerman “OneFootball” të martën.

Hummels po pëlqehet nga trajneri Daniele De Rossi i cili po e sheh gjermanin të rëndësishem për skuadrën e tij.

36-vjeçari shihet si zëvendësuesi ideal i Chris Smallingut i cili mund të largohet nga Roma.

Hummels ka dhënë kontribut të madh për Dortmundin në Ligën e Kampionëve në edicionin 2023/2024. Ai me skuadrën gjermane arriti në finale, por u mposht nga Real Madridi me rezultat 2:0. Kontrata me Dortmundin i përfundon më 30 qershor.