Rashica mund të largohet nga Beshiktashi
Sulmuesi i Kosovës, Milot Rashica mund të largohet nga skuadra e Beshiktashit në verën e këtij viti.
“Ortaçizgi” raporton të premten se për Rashicën kanë shprehur interesim dy skuadra nga Seria A.
Drejtuesit e Beshiktashit po dëshirojnë që t’i fitojnë së paku 12 milionë euro nga shitja e Rashicës. 27-vjeçari te Beshiktashi u transferua vitin e kaluar nga skuadra angleze Norwich City për pesë milionë euro.
Rashica edicionin e kaluar ishte i huazuar te Galatasaray, ndërsa karrierë ka bërë te Werder Bremeni e Vitesse.
Arsenali interesohet për portierin Diant Ramaj
Skuadra e Arsenalit ka shprehur interesim për transferimin e portierit kosovar, Diant Ramaj. Kështu kanë raportuar të premten mediumet angleze.
Ramaj shihet si zëvendësues i Aaron Ramsdaleit, i cili do të largohet pasi ka humbur vendin startues në ekipin e drejtuar nga Mikel Arteta.
Përveç Ramajt, Arsenali është duke monitoruar edhe portierin e Juventusit Wojciech Szczesny dhe Jason Steelen e Brightonit. Ramaj ka treguar paraqitje të mira me Ajaxin në edicionin aktual. Ai u transferua te Ajaxi për pesë milionë euro nga Eintracht Frankfurti në gusht të vitit të kaluar.
Në 33 paraqitje këtë edicion, Ramaj ka gjashtë ndeshje pa pësuar gol me skuadrën e Ajaxit.

Atalanta vendos për De Ketelaeren
Drejtuesit e Atalantas janë të kënaqur me paraqitjet e sulmuesit Charles de Ketelaere këtë edicion.
Të premten eksperti i transferimeve Fabrizio Romano ka njoftuar se Atalanta tashmë ka nisur negociatat me Milanin për transferimin e sulmuesit belg.
De Ketelaere te Atalanta erdhi në verën e vitit të kaluar nga Milani në formë huazimi. Atalanta do të duhet t’i paguaj 23 milionë euro skuadrës së Milanit nëse dëshiron t’i siguroj shërbimet e belgut.
30-vjeçari ka kontratë me skuadrën e Milanit deri në vitin 2027, ndërsa këtë edicion me fanellën e Atalantes ka shënuar 11 gola dhe ka bërë nëntë asistime në të gjitha garat. Karrierë ka bërë edhe te Club Brugge.

Nketiah mund të largohet nga Arsenali
Sulmuesi anglez Eddie Nketiah pritet të jetë largimi i parë i skuadrës së Arsenalit këtë verë.
BBC të premten ka raportuar se për Nketiahn ka shprehur interesim Wolverhamptoni dhe Crystal Palace.
24-vjeçari ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar tri herë në 37 ndeshje në të gjitha garat e edicionit aktual. Por tek Arsenali po kërkojnë të bëjnë ndryshime në skuadër për edicionin e ardhshëm në Premier League.
Nketiah sipas faqes “Transfermarket” vlerësohet 30 milionë euro. Anglezi me Arsenalin ka kontratë deri në verën e vitit 2027. Ai për një periudhë luajti edhe për Leeds Unitedin.

United interesohet për Nevesin e Benficas
Manchester United i është bashkuar Liverpoolit dhe Chelseat në garë për transferimin e mesfushorit të talentuar portugez, Joao Neves.
19-vjeçari ka një klauzolë lirimi prej 120 milionë euro, shkruan “Sky Sports” të premten.
Neves ka shënuar tri gola dhe ka asistuar dy herë në 53 ndeshje në të gjitha garat e këtij edicioni. Ai me klubin elitar të Portugalisë ka kontratë deri në qershor të vitit 2028.
Për përfaqësuesen e Portugalisë ka luajtur në pesë ndeshje.