Futboll

Transferime: Monza interesohet për Navasin

Keylor Navas

Skuadra italiane Monza ka shprehur interesim për t’i siguruar shërbimet e portierit, Keylor Navas, shkruajnë të hënën mediume të ndryshme italiane.

Pas dështimit të marrëveshjes me portierin e Napolit, Pierluigi Gollini, Monza është duke provuar ta marrë si lojtar të lirë, ish portierin e Real Madridit. 37-vjeçarit i ka skaduar kontrata me klubin parisien. Ai është përballur me konkurrencë të fortë me portierin italian Gianluigi Donnarumma. Në edicionin 2023/2024, në të gjitha garat Navas ka bërë vetëm gjashtë paraqitje. Navas në edicionin 2022/2023, ka luajtur edhe për skuadrën angleze Nottingham Forest si i huazuar.


 

Barcelona përgatit ofertën për Olmon

Skuadra e Barcelonës do t’ia bëjë një ofertë të re Leipzigut për mesfushorin spanjoll Dani Olmo. Leipzigu e ka refuzuar ofertën e parë të Barcelonës muajin e kaluar. Barcelona i ofroi 44 milionë euro klubit gjerman për Olmon, i cili shkëlqeu me fanellën e Spanjës në Evropian. Spanjollët fituan Evropianin e organizuar në Gjermani.. Skuadra gjermane kërkon të paktën 65 milionë euro nga shitja e Olmos.

Raportohet se trajneri i ri i Barcelonës Hansi Flick është ndarë i kënaqur me paraqitjet që Olmo i bëri me Spanjën në “Euro 2024”.

26-vjeçari në Evropianin që u mbajt në Gjermani shënoi tri gola dhe bëri dy asistime në gjashtë ndeshje të luajtura. Me Leipzigun ka kontratë deri në verën e vitit 2027. Për spanjollin ka shprehur interesim edhe Manchester City.


Erikseni flet për të ardhmen

Mesfushori Christian Eriksen e ka konfirmuar qëndrimin e tij te skuadra e Manchester Unitedit.

“Kam edhe një vit kontratë. Kështu që unë jam lojtar i Unitedit. Nuk më kanë thënë të largohem apo të rinovoj kontratën. Ndihem mirë, familja ime ndihet rehat në Manchester United”, deklaroi Eriksen, shkruan “Goal”. Kontrata me skuadrën angleze i përfundon në verën e vitit të ardhshëm. Për 32-vjeçarin së fundmi ka shprehur interesim skuadra belge Anderlecht.

Danezi iu bashkua Unitedit si futbollist i lirë. Para Unitedit luajti për Brentfordin.

Sezonin e kaluar ai bëri 28 paraqitje në të gjitha garat. Shënoi një gol dhe kontribuoi me tri asistime.