Futboll

Transferime: Gjigantët evropianë interesohen për trajnerin Amorim

Ruben Amorim - trajneri i Sportingut te Lisbones

Trajneri Ruben Amorim mund ta marrë drejtimin e njërës prej tri skuadrave të mëdha evropiane, Barcelonës, Bayern Muenchenit ose Liverpoolit. 

Për interesimin e gjigantëve evropianë për trajnerin e Sporting Lisbonës ka shkruar të mërkurën “BBC”. 

Portugezi Amorim është 39-vjeçar. Barcelona, Bayerni dhe Liverpooli do të mbesin pa trajnerë në fund të edicionit aktual. 

Liverpooli dhe Bayerni janë në bisedime edhe me trajnerin e Bayer leverkusenit dhe të Brightonit, Roberto de Zerbi.


Bayerni nuk diskuton për Kimmichin deri në verë

Te gjiganti gjerman, Bayern Muenchen, kanë thënë se e ardhmja e Joshua Kimmichit nuk do të diskutohet deri në verë, raporton “Football Transfers”. 

Arsenali është skuadra e fundit që ka kërkuar t’i nisë bisedimet me Bayernin për mesfushorin gjerman. 

Për futbollistin e Gjermanisë interesim kanë shprehur edhe disa klube të tjera angleze, italiane, spanjolle dhe PSG-ja.

Bayerni i ka bërë ofertë Kimmichit për vazhdimin e kontratës e cila i skadon në verën e vitit 2025. 
Kimmich 29-vjeçar iu bashkua Bayernit në vitin 2015 nga skuadra e Stuttgartit. Më herët karrierë ka bërë edhe te Leipzigu. 

Ai në edicionin aktual ka shënuar një gol në 21 ndeshje. Ka kontribuar edhe me pesë asistime për Bayernin në Bundesligë. 


Garë e fortë për Wirtzin

Manchester City dhe Liverpooli kanë hyrë në garë për transferimin e mesfushorit të Bayer Leverkusenit, Florian Wirtz, raportoi “BBC” të mërkurën.

Reprezentuesi i Gjermanisë pëlqehet edhen nga Manchester United, PSG-ja dhe Bayern Muencheni. Por 20-vjeçari ende nuk ka marrë vendim se cilës skuadër t'i bashkohet gjatë afatit kalimtar të verës. Siç shkruajnë mediumet në gjermani, ai është duke pritur vendimin se cilën skuadër do ta drejtojë Xabi Alonso në edicionin e ardhshëm. Ai dëshiron të vazhdojë punën me trajnerin spanjoll edhe në të ardhmen. Ai vlerësohet 110 milionë euro në tregun e transferimeve.

Gjermani me fanellën e Leverkusenit ka shënuar 11 gola dhe ka asistuar 17 herë në 37 ndeshjet e edicionit aktual. Së fundi shkëlqeu edhe për Gjermaninë. Për përfaqësuesen gjermane të futbollit ka shënuar një gol në 16 ndeshje. 


Arrizabalaga do të kthehet te Chelsea

Portieri Kepa Arrizabalaga do të kthehet te Chelesa pas përfundimit të edicionit aktual. 
Arrizabalaga do të kthehet në klubin e Chelseat kur huazimi i tij në "Bernabeu" të përfundojë në qershor. 

Real Madridi nuk është i interesuar ta blejë kartonin e portierit 29-vjeçar, raporton gazetari Fabrizio Romano.  

Portieri spanjoll për realin ka luajtur 18 ndeshje në të gjitha garat e edicionit aktual. Por nuk ka bindur drejtuesit e realit për ta mbajtur edhe më gjatë reprezentuesin e spanjës.


Tottenhami detyrohet ta shesë Emerson Royalin

Tottenhami mund të detyrohet ta shesë mbrojtësin brazilian, Emerson Royal, raportoi të mërkurën “Football Insider”. 

Tottenhami me shitjen e 25-vjeçarit synon të blejë lojtarë të tjerë gjatë afatit kalimtar të verës. 
Braziliani iu bashkua Tottenhamit në vitin 2021, ndërsa ka kontratë deri në verën e vitit 2026. 

Me fanellën e klubit elitar të Anglisë, ka luajtur vetëm 20 ndeshje në të gjitha garat e edicionit aktual. Për Brazilin ka luajtur dhjetë ndeshje nga viti 2019.

Tottenhamit iu bashkua dy vjet më parë nga Barcelona.


Alonso pritet t'i bashkohet Atleticos

Marcos Alonso pritet t'i bashkohet Atletico Madridit gjatë verës së këtij viti, raporton "Cadena Serin". Alonsos i skadon kontrata gjatë verës me skuadrën e Barcelonës, ndërsa ka hyrë në fazën e fundit të bisedimeve me Atleticon. 

Mbrojtësi i krahut të majtë më herët karrierë ka bërë edhe te Chelsea, Fiorentina, Sunderlandi, Boltoni. 

33-vjeçari ka luajtur vetëm shtatë ndeshje gjatë edicionit aktual në La Liga dhe Ligën e Kampionëve. Për Spanjën i ka nëntë paraqitje. 


Fiorentinës mund t'i largohet talenti Kayode

Futbollisti i talentuar Michael Kayode nuk pritet të mbetet gjatë pjesë e Fiorentinës. Interesimi për futbollistin italian është i madh nga skuadrat e ndryshme evropiane, raporton “Football Transfer”.
Mësohet se për 19-vjeçarin Kayode në garë janë Barcelona, Arsenali dhe Manchester City. Kayode pjesë e ekipit të parë të Fiorentinës është prej vitit të kaluar. Me Fiorentinën ka kontratë deri në qershor të vitit 2028. Reprezentuesi i shpresave të Italisë me fanellën e Fiorentinës ka shënuar një gol dhe ka asistuar katër herë në 29 ndeshje në të gjitha garat e këtij edicioni. Ai luan në pozitën e krahut të djathtë.