Drejtori sportiv i skuadrës së Napolit, Giovanni Manna, ka thënë se sulmuesi Victor Osimhen është i rëndësishëm për skuadrën e drejtuar nga Antonio Conte. Por ai ka thënë se për të ardhmen e tij, Napoli do të vendosë brenda dhjetë ditësh.
“Victori është një lojtar i rëndësishëm. Dëshira e tij është e qartë. Ne u përpoqëm të ruanim integritetin e skuadrës në këtë moment. Ne nuk jemi i vetmi klub në këtë situatë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë në dhjetë ditët e ardhshme”, ka thënë Manna, shkruan të martën “Metro”.
Moreno në radarin e katër skuadrave evropiane
Futbollisti i Aston Villas, Alex Moreno, është duke u kërkuar nga disa skuadra të ndryshme evropiane. “BBC”, ka raportuar të hënën se Nottingham Foresti, Villarreali, Sevilla dhe Valencia janë të interesuara për shërbimet e 31-vjeçarit.
Spanjolli nuk ishte pjesë e skuadrës së Aston Villas në ndeshjen ndaj West Ham Unitedit të shtunën.
Mësohet se Aston Villa është e hapur që t’i dëgjojë ofertat nga klubet e ndryshme për Morenon.
31-vjeçari ka kontratë me klubin anglez deri në verën e vitit 2026. Pjesë e Aston Villas është nga viti i kaluar. Ai u transferua nga Real Betisi për 13 milionë euro.
Toney mund t’i bashkohet Al-Ahlit
Sulmuesi anglez, Ivan Toney, karrierën pritet ta vazhdojë në Arabinë Saudite. Skuadra saudite Al-Ahli është e interesuar për transferimin e Toneyt nga Brentfordi.
Raportohet se Brentfordi ka refuzuar ofertën e parë prej 35 milionë eurosh.
Edicionin e kaluar, 28-vjeçari me fanellën e Brentfordit ka shënuar katër gola dhe ka bërë dy asistime. Me Brentfordin ka kontratë edhe një vit.
Më herët, anglezi ishte suspenduar për tetë muaj nga Federata e Futbollit e Anglisë për bastvënie.
Mst: Sportingu në bisedime për transferimin e Roques
Skuadra e Sportingut të Lisbonës është në bisedime për transferimin e sulmuesit të Barcelonës, Vitor Roque. Kështu ka raportuar të hënën eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano. Mësohet se bisedimet ndërmjet Sportingut dhe Barcelonës janë duke u zhvilluar. Drejtuesit e Barçës janë duke kërkuar 30 milionë euro për kartonin e brazilianit.
Hapësira jo e madhe në sezonin e kaluar me Barcelonën, ka shtyrë Roquen ta mendojë largimin. Roque te Barcelona u transferua për 40 milionë euro në janar nga skuadra braziliane, Athletico Paranaense.
19-vjeçari në edicionin 2023/2024 ka zhvilluar 353 minuta me gjigantin spanjoll, ndërsa ka kontribuar me dy gola.
McTominay pritet t’i bashkohet Napolit
Mesfushori skocez, Scott McTominay ka arritur marrëveshje personale me skuadrën e Napolit. Të hënën “The Sun” ka shkruar se Napoli duhet të shesë së pari Victor Osimhenin për ta transferuar skocezin. 27-vjeçari po konsiderohet i rëndësishëm për Napolin në edicionin e ri në Serie A.
Napolit pritet t’i kushtojë rreth 25 milionë euro transferimi i skocezit.
Me Manchester Unitedin, 27-vjeçari ka kontratë edhe një vit.
Kadioglu afër transferimit të Brightonit
Mbrojtësi turk, Ferdi Kadioglu është afër t’i bashkohet skuadrës së Brightonit. Të dielën mediumet turke kanë raportuar se Brightoni është duke biseduar me Fenerbahçen për ta transferuar 24-vjeçarin. Feneri është duke i kërkuar 40 milionë euro për Kadioglun. 24-vjeçari ka shprehur dëshirën t’i bashkohet skuadrës angleze. Kadioglut kontrata me gjigantin turk i përfundon në vitin 2026. Ai ishte pjesë e Turqisë në Kampionatin Evropian “Gjermania 2024”, ndërsa luajti në pesë ndeshje.