Mesfushori holandez Xavi Simons është huazuar edhe për një vit te skuadra e RB Lepizigut. Skuadra gjermane nuk e ka opsionin e blerjes të Simonsit dhe me përfundimin e huazimit holandezi do të kthehet te gjiganti francez Paris Saint-Germain.
“Ndihem si në shtëpinë time këtu në Leipzig dhe jam jashtëzakonisht i lumtur që mund të luaj për këtë klub dhe për këta tifozë edhe për një vit. Jam gati të bëj histori.
Unë iu bashkova një ekipi të madh dhe ndjeva besimin e të gjithëve këtu. Isha në gjendje të zhvillohesha edhe si lojtar edhe si person. Klubi me të vërtetë më vlerëson dhe e bëri të qartë gjatë muajve të fundit se dëshiron të nënshkruaj me mua”, deklaroi Simons për faqen zyrtare të Leipzigut.
21-vjeçari në edicionin 2023/2024 luajti 43 ndeshje në të gjitha garat dhe shënoi dhjetë gola dhe kontribuoi me 15 asistime. Simons nga edicioni i ardhshëm do të paraqitet me fanellën numër dhjetë.
Gallagher i thotë “po” Atletico Madridit
Mesfushori anglez, Conor Gallagher, ka arritur marrëveshje personale me skuadrën spanjolle, Atletico Madrid.
Të hënën eksperti i transferimeve Fabrizio Romano ka njoftuar se anglezi do të nënshkruaj kontratë pesëvjeçare me skuadrën që drejtohet nga Diego Simeone. Gallagher nuk ka dëshiruar që ta rinovojë kontratën me Chelsean. Kontrata me klubin anglez i përfundon vitin e ardhshëm.
Mësohet se Atletico Madridi do t’i paguajë 40 milionë euro Chelseat për shërbimet e Gallagherit. Gallagher në ditët e ardhshme do të udhëtojë për në Madrid për t’i përfunduar testet mjekësore.
Ancelotti s’e di se çfarë do të ndodhë me Kepan
Më 30 qershor portierit Kepa Arrizabalaga i përfundoi huazimi njëvjeçar nga Chelsea te skuadra e Real Madridit. Spanjolli u huazua te Reali për edicionin 2023/2024, pas lëndimit që e pësoi Thibaut Courtois.
Trajneri Carlo Ancelotti është shprehur se është i lumtur me paraqitjet që i bëri Kepa edicionin e kaluar, por rikthimi te Reali varet nga drejtuesit e “Los Blancos”, përkatësisht nëse ata dëshirojnë që ta blejnë kartonin e gardianit.
“Kepa u paraqit shumë mirë. Ne ishim vërtet të lumtur që e kishim këtu, por nuk e di se çfarë do të ndodhë këtë sezon. Ne e duam atë”, theksoi 64-vjeçari Ancelotti, shkruan “Football Espana”.
Portieri i parë i Realit mbetet belgu Courtois. Ndërsa ukrainasi Andriy Lunin është alternativa e dytë e Ancelottit.
Me Chelsean, Kepa ka kontratë edhe një vit. Për 29-vjeçarin kanë shprehur interesim edhe disa skuadra nga Arabia Saudite.
Simeone: Felixi është futbollist i Atleticos
Trajneri i skuadrës së Atletico Madridit, Diego Simeone, ka folur rreth së ardhmes së sulmuesit portugez Joao Felix. Simeone të hënën ka theksuar se Felix është futbollist i Atletico Madridit dhe se do të respektohet si futbollistët e tjerë.
“Joao Felix është lojtar i Atletico Madridit, dhe për sa kohë që ai është me Atleticon ne do ta vlerësojmë në bazë të mënyrës se si punon, ashtu siç bëjmë me të gjithë lojtarët në ekip. Ai luajti një ndeshje të mirë në 45 minutat që duhej të luante kundër Getafes”, u shpreh Simeone, shkruan “Estadio Deportivo”. Marrëdhënia mes Simones dhe Felixit prej kohësh është zbehur. Felixi u rikthye tek Atletico Madridi pasi i përfundoi huazimi njëvjeçar te Barcelona.
Të shtunën Felix realizoi gol për skuadrën madrilene në ndeshjen miqësore ndaj Getafes.
Neves zyrtarizohet te Parisi
Skuadra e Paris Saint-Germainit të hënën e ka zyrtarizuar mesfushorin portugez Joao Neves. 19-vjeçari ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me gjigantin francez.
“Jam shumë krenar që i bashkohem Paris Saint-Germainit. Do të jap gjithçka për të ndihmuar bashkëlojtarët e mi, për t’u rritur në këtë klub fantastik dhe për të fituar tituj të shumtë. Ky është një klub me synime të mëdha dhe mendoj se kjo mënyrë e të menduarit dhe e përpjekjes për ta bërë klubin më të fortë me lojtarë të rinj është një projekt i madh”, ka deklaruar Neves.
Portugezi iu bashkua Parisit nga Benfica për 60 milionë euro.
Scamacca lëndohet rëndë, mungon shtatë muaj
Sulmuesi i Atalantas, Gianluca Scamacca, ka pësuar lëndim të rëndë në gjurin e këmbës së majtë. Të hënën mediumet italiane kanë raportuar se Scamacca do të jetë jashtë fushave rreth shtatë muaj.
Italiani u lëndua gjatë ndeshjes miqësore ndërmjet Atalantas dhe Parmas të dielën. Pas kontrollimeve mjekësore u zbulua se lëndimi është shqetësues për 25-vjeçarin. Scamacca do të mungojë edhe në finalen e Superkupës së Evropës ndërmjet Atalantas dhe Real Madridit që zhvillohet më 14 gusht. Me Atalantan, Scamacca ka kontratë deri në verën e vitit 2027.