Futboll

Trajneri i Baselit kritikohet që e zëvendësoi Shaqirin

Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri sërish ishte prej lojtarëve kryesorë të Baselit. Por befasisht ai la fushën në minutën e 73-të të ndeshjes ndaj St. Gallenit, të zhvilluar të shtunën mbrëma.

Kur Shaqiri u largua nga fusha, rezultati ishte 2:0 në të mirë të Baselit. Më pas St. Galleni i realizoi dy gola dhe ndeshja e xhiros së 25-të të Superligës së Zvicrës përfundoi 2:2.

Pas një krosimi të Shaqirit në minutën e 71-të, St. Galleni shënoi autogol për epërsinë 2:0 të Baselit.
Baseli ka tri ndeshje pa fitore në Superligë dhe ka lëshuar pikë të rëndësishme në garën për titull të kampionit.

Trajneri i Baselit, Fabio Celestini, është kritikuar nga mediat në Zvicër që e zëvendësoi Shaqirin. 
“Pokeri i Celestinit me Shaqirin nuk funksionoi”, ka shkruar “bluewin.ch”.
Trajneri Celestini është pyetur pas ndeshjes pse e zëvendësoi Shaqirin. Ka lënë të kuptohet që këtë e ka bërë për të pasur lojtarë më shtatlartë pas goditjeve të dënimit të ekipit kundërshtar. Pikërisht nga dy goditje nga këndi i shënoi golat St. Galleni.

“Shaqiri është më i shkurtër se Baro. Ndoshta kemi pasur ekipin më të gjatë me të cilin kemi luajtur ndonjëherë”.

“Blick” ka shkruar se Celestini është përgjigjur me irritim në pyetjen për largimin e Shaqirit.
Në komentin që zëvendësimi i Shaqirit ishte befasi, ai është përgjigjur me pyetje: “Çka saktësisht të ka befasuar?”, ka thënë Celestini, shkruan “Blick”.