Juventusi është skuadra që nuk ka pësuar ende disfatë këtë edicion në Serie A.
Pas barazimit me Fiorentinan më 29 dhjetor dhe eliminimit në gjysmëfinale të Superkupës së Italisë nga Milani, “Zonja e Vjetër” synon që të kthehet te fitorja këtë fundjavë në elitën e futbollit italian.
Të shtunën nga ora 18:00, Juventusi do ta zhvillojë derbin lokal me Torinon. Kjo ndeshje i takon javës së 20-të të Serie A.
Torino i ka 21 pikë dhe është në vendin e 11-të.
Juventusi është në pozitën e pestë me 32 pikë nga 18 ndeshje.
Juventusi është i pamposhtur në 21 ndeshjet e fundit kundër Torinos në të gjitha garat.
Juventusi do të jetë pa Dushan Vllahoviqin dhe Francisco Conceiçaon në derbin torinez. Të dy kanë lëndime muskulore.
Të shtunën do të luhen edhe tri ndeshje të xhiros së 20-të.
Fituesi i Superkupës së Italisë, Milani, nga ora 20:45 e pret Cagliarin.
Milani ka mbetur prapa në garën për titull. Renditet i teti me 27 pikë nga 17 ndeshje. Por vlerësohet favorit ndaj Cagliarit që renditet i 17-ti me 17 pikë.
Nga ora 15:00 do të luhen dy ndeshje. Udinese e pret Atalantan e vendit të dytë, kurse Lecce do të jetë mysafir tek Empoli.
Lideri i kampionatit italian, Napoli, të dielën nga ora 20:45 ballafaqohet me Veronën. Napoli ka 44 pikë, kurse Verona ka 19 pikë dhe është në vendin e 15-të.
Të dielën zhvillohen edhe ndeshjet Venezia – Inter, nga ora 15:00, Genoa – Parma nga ora 12:30, Bologna – Roma nga ora 18:00.
Monza – Fiorentina zhvillohet të hënën nga ora 20:45 dhe e mbyll xhiron në kampionatin italian.