Paris Saint-Germaini e dominoi plotësisht ndeshjen ndaj Liverpoolit, të luajtur në “Parkun e Princave” të mërkurën e kaluar. Por ishte Liverpooli që fitoi 1:0 si mysafir, falë golit të shënuar nga rezervisti Harvey Elliott në minutën e 87-të. Parisienët i kishin plot 28 raste për gol, ndërsa Liverpooli vetëm dy në atë ndeshje.
Por fitorja është fitore dhe Liverpooli është në avantazh të madh në garën për kalim në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Ndeshja e kthimit e një të tetës së finales mes Liverpoolit dhe PSG-së zhvillohet të martën prej orës 21:00 në “Anfield”. Liverpooli do të ketë përkrahje të madhe të tifozëve, ndërsa e ka edhe rezultatin e favorshëm nga ndeshja e parë.
Dy skuadrat po marshojnë drejt titullit të kampionit në vendet e tyre. Por kanë synime edhe në Champions po ashtu. Vetëm njëra do të zë vend në tetëshen më të mirë.
“I jemi përmbajtur planit të zakonshëm gjatë javës. Qasja jonë nuk ndryshon, por si qëndron gjendja momentalisht ne jemi të eliminuar. Ne kemi vetëm një opsion, të dalim në fushë dhe të fitojmë. Të gjithë në skuadër duan të luajnë në Anfield. Është stadium legjendar. Është motivim i madh për të gjithë lojtarët dhe për skuadrën. Ne duam të tregojmë se jemi në gjendje të luajmë ndeshje të mirë në Liverpool”, ka thënë trajneri i Parisit, Luis Enrique.
Trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka thënë se nuk është befasuar nga paraqitja e Parisit në ndeshjen e parë. Ai është i impresionuar me intensiteti e Parisit.
“Janë ekip i kompletuar. Të mërkurën e kaluar disa njerëz thanë se kemi luajtur zbehtë, por kemi luajtur shumë mirë. Por mund të paraqitemi edhe më mirë. Jemi ekip më i mirë se që u shfaqëm javën e kaluar dhe këtë duhet ta shfaqim nesër”, ka thënë Slot.
Të martën janë edhe tri ndeshje tjera të një të tetës së finales.
Fillimisht prej orës 18:45 Barcelona e pret Benficën. Barça fitoi 1:0 në ndeshjen në Lisbonë, ndonëse për kohë të gjatë me një lojtar më pak në fushë.
“Askush te ne nuk mendon se puna është kryer. Duam që qasja të jetë e duhura. Benfica e ka të qartë se si dëshiron të luajë dhe e di se si luajmë ne. Nuk pres ndonjë befasi. Gjëja më e mirë për ne është të jemi maksimëisht të fokusuar dhe të mos mendojmë për ndeshjen e parë”, ka thënë trajneri i Barcelonës, Hansi Flick.
Prej orës 21:00 janë edhe ndeshjet Inter – Feyenoord dhe Bayer Leverkusen – Bayern Munchen. Interi fitoi 2:0 në Rotterdam të Holandës dhe pret ta konfirmojë avancimin në çerekfinale.
Ndërkohë derbi gjerman pritet të jetë i zjarrtë. Bayerni e ka fituar 3:0 ndeshjen në shtëpi, por te Leverkuseni janë të përkushtuar të luftojnë deri në fund për ta përmbysur rezultatin.
Skuadra ku paraqitet Granit Xhaka pret përkrahje të madhe edhe nga shikuesit. Të hënën kampioni në fuqi i Gjermanisë mori lajm të keq. Njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm, Florian Wirtz ka pësuar lëndim serioz dhe do të mungojë disa javë.
“Më vjen keq për Wirtzin, që ishte në moment shumë të mirë. Por tani është momenti i duhur për të dëshmuar që jemi ekip i kompletuar dhe që mund të fitojmë pa të. Për të është e rëndësishme të vazhdojmë në Ligën e Kampionëve, që të mund të luajë sërish në këtë garë”, ka thënë trajneri i Leverkusenit, Xabi Alonso.
“Hapi i parë është të besojmë. Ne dhe tifozët në stadium. Ata duhet të besojnë nga sekondi i parë që jemi në gjendje të kualifikohemi. Nëse luajmë me zemër, pasion, agresivitet, intensitet dhe me kokë të ftohtë, atëherë kemi gjasa. E dimë se sa e vështirë është, por ndonjëherë një situatë e vështirë krijon diçka epike”, ka shtuar Alonso.
Te Bayerni synojnë tjetër fitore, ndonëse kanë përparësi të madhe nga ndeshja e parë.
“Kur je te Bayerni është më e lehtë në aspektin mental. Gjithnjë dëshiron të fitosh këtu. Duam të marrim rezultatin që na dërgon tutje. Kur luajmë ndeshje futemi në të me synim për të fituar”, ka thënë trajneri i Bayernit, Vincent Kompany.