(19:54) -
Tjetër rezultat i zbehtë i Ballkanit në Evropë
Podujevë, 23 korrik (KD) - Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, ka barazuar pa gola në ndeshjen e parë të rundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës ndaj kampionit të Maltës, Hamrun Spartans.
Ndeshja Ballkani – Hamrun Spartans u zhvillua të martën pasdite në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Për skuadrën suharekase ishte ndeshja e radhës në garat evropiane që e mbylli me rezultat të zbehtë.
Pas dështimit në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja nuk e fitoi as ndeshjen e parë kualifikuese të garës së tretë për nga niveli. Barazoi pa gola me kampionin e Maltës, ndonëse rastet për shënim i kishte gjatë 90 minutave.
Ballkani pati edhe penallti të humbur Mesfushori Lindon Emërllahu dështoi nga pika e bardhë në minutën e 20-të. Në minutën e 59-të, Ballkani realizoi gol me anë të mesfushorit brazilian, Queven, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka thënë se bazuar në paraqitjen e lojtarëve në fushë, skuadra e tij meritoi fitoren. Ai pret përballje të vështirë edhe në Maltë, por kërkon nga lojtarët e tij “luftë” në fushë për të siguruar kalimin në rundin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
“Sot ne kishim raste për të shënuar gol. Kishim penallti të humbur dhe kundërshtari nuk rrezikoi asnjëherë. Ne si trajnerë kemi për detyrë t’i dërgojmë te zona e golit, pastaj zgjedhjet i kanë vet futbollistët dhe aty duket krijimtaria e lojtarit. Por kemi ndryshime në krahasim me ndeshjen ndaj ekipit të Andorrës në fushën tonë. Ishte niveli më i lartë në këtë ndeshje. E kemi të vështirë, por do të luftojmë për t’u kualifikuar. Një ndeshje e mirë mbahet mend vetëm një javë, por rezultati është ai që vlen shumë. Kemi gjasa 50 me 50. Nëse luajmë me të njëjtin seriozitet besoj që i kemi gjasat e barabarta me kundërshtarin. Do të tentojmë të arrijmë rezultat që na dërgon tutje”, ka thënë Daja.
Ndeshja kthyese luhet pas një jave në Maltë.
Emërllahu është i dëshpëruar me humbjen e penalltisë së dytë rresht në garat evropiane. Ai humbi penallti edhe ndaj UE Santa Colomas. Por Emërllahu pret të jetë sërish ai që do ta gjuaj penalltinë eventuale të Ballkanit.
“Kam stërvitur më herët penalltitë. Kam shënuar në rastet kur i kam gjuajtur, por për herë të parë më ndodhë që humbi dy penallti rresht. Është një ngërç psikologjik mendoj. Por me gjithë dëshirë do ta merrja rastin të gjuaj dhe të shënoj gol për ta ndihmuar ekipin të kualifikohet tutje”, ka thënë Emërllahu. Ai insiston se Ballkani meritoi fitoren ndaj kampionit të Maltës.
Ballkani kishte posedimin e topit 68 %, kurse ekipi nga Malta 32 %. Gjuajtje drejt portës suharekasit i kishin 13 kurse Hamruni vetëm një. Prej 13 gjuajtjeve, katër ishin në portë nga lojtarët e Ballkanit, kurse Hamruni nuk kishte asnjë gjuajtje në portë. Por ekipi mysafir ka marrë rezultat të favorshëm për ndeshjen kthyese.
Ballkani dominon, por nuk shënon në pjesën e parë
(18:49) - Ka përfunduar pjesa e parë e ndeshjes mes Ballkanit dhe Hamrunit. Rezultati pas 45 minutave lojë është 0:0.
Ballkani e kishte rastin më të mirë në ndeshje në minutën e 20-të që të dilte në epërsi ndaj Hamrunit, por mesfushori Lindon Emërllahu dështoi që të shënonte nga pika e bardhë.
Ka pasur edhe disa tentime nga kampioni i Kosovës, por pa rezultat.
Mysafirët nuk janë shfaqur të rrezikshëm.
Emërllahu me penallti katastrofale
(18:21) - Mesfushori i Ballkanit, Lindon Emërllahu, ka dështuar nga penalltia për ta zhbllokuar ndeshjen ndaj Hamrunit, e vlefshme për rundin e dytë të kualifikimeve të Ligës së Konferencës.
Emërllahu gjuajti dobët në minutën e 20-të. E huqi krejtësisht portën. Penalltinë e kishte humbur edhe ndaj Santa Colomas gjatë ekzekutimit të penalltive një javë më parë.
Ndeshja po luhet në “Zahir Pajaziti”.
VIDEO:
20' | Emërllahu misses from the spot again! What a chance to get in front. pic.twitter.com/0pt2PgbHz3
— Kosovo Football 🇽🇰 (@FootballKosovo) July 23, 2024