Marrëveshja nuk është përfunduar ende. Është vetëm si një ide se si mund të duket e ardhmja e Schaffhausenit. Por tifozët e klubit zviceran qysh tash i rezistojnë hyrjes së princit saudit Abdullah bin Saad vin Abulaziz Al Saud, i cili është i interesuar t’i bashkohet Jimmy Berishës në Schaffhausen, shkruan “Blick” të enjten.
Janë vendosur fletushka në vende të ndryshme të qytetit të Schaffhausenit kundër marrëveshjes së planifikuar me sheikun nga Jeddahu. Berisha ishte për vizitë në Jeddah, ndërsa ka postuar edhe një fotografi me princin saudit.
Shqiptari Jimmy Berisha në dhjetor të vitit të kaluar u emërua president i Shhaffhausenit, ndërsa Admir Mehmedi drejtor sportiv. Ardhja e tyre ndikoi edhe në rritjen e lojtarëve shqiptarë.
Pjesë e Schaffhausenit janë shqiptarët Valon Zumberi, Arbnor Hasani, Ermir Lenjani, Bujar Lika, Jetmir Krasniqi, Orges Bunjaku, Liridon Balaj, Kevin Halabaku, Mark Merlaku, Leon Hysenaj dhe Brendon Abazi.
Vendosjen e fletushkave në qytet e kanë marrë përsipër tifozët ultras të Schaffausenit.
“Ne jemi të përkushtuar të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që klubi ynë të mos bjerë në duart e një sheiku”, shkruan në fletushkë.
Tifozët kanë frikë se klubi mund të dëmtohet nga sheikët.
“Ka një frikë të madhe se ky investitor do ta fusë klubin në humnerë. Kjo është arsyeja pse ne kurrë nuk do të pranojmë një gjë të tillë”.
Në fund të fletushkës, ultrasit tregohen edhe më të ashpër në kundërshtim.
“Ne do të marrim masa të pakëndshme nëse është e nevojshme”. “Blick” ka kërkuar një mendim nga Berisha për mesazhin e tifozëve.
“Ne i marrim seriozisht dyshimet e tifozëve”, ka thënë Berisha.
Pasi siguruan mbijetesën në Kategorinë e Dytë të Zvicrës, shefi i klubit po punon shumë për të fituar licencën për pjesëmarrje në gara. Aplikimi i parë u refuzua për arsye financiare.
Klubi kishte hasur në vështirësi financiare gjatë udhëheqjes nga Roland Klein, dhe vetëm afrimi i një sponsori verën e kaluar shpëtoi sezonin.
Berisha nëpërmjet përgjigjeve dhënë “Blickut” u tregon tifozëve vështirësinë për ta mbajtur ekonomikisht klubin.
“Realiteti është se është e vështirë të drejtosh një klub ekonomikisht, sidomos në Challange League”.
Ai kërkoi investitorë rajonalë dhe kombëtarë përpara se të takohej me princin Bin Saad.
Por mbetet të shihet nëse investitori i parë në futbollin zviceran do të vijë nga shkretëtira. Princi Bin Saad ka paralajmëruar një vizitë në Schaffahsen. Por ende nuk është caktuar data.